
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për dhunën ndaj grave dhe dështimet zinxhirore të institucioneve në parandalimin e vrasjeve të tyre nga burrat.
Sot në Kuvend deputetët thanë se autoritetet përkatëse dhe zyrtarët që dështuan në rastin e vrasjes së qytetares Arlinda Zekaj ditë më parë, duhet të japin llogari para drejtësisë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Edona Llalloshi tha se që nga paslufta në Kosovë janë vrarë mbi 80 gra.
Ajo pyeti se edhe sa gra duhet të humbin jetën që autoritetet të reagojnë me seriozitet.
“Në vitin 2008 kushërira ime, mjekja e respektuar, Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe pse kanë kaluar 18 vjet, për ne dhimbja nuk është shuar kurrë. Që nga paslufta, më shumë se 80 gra janë vrarë në Kosovë. Pas secilit prej këtyre numrave qëndron një jetë e shuar, një familje e shkatërruar dhe fëmijë që mbetën me plagë për gjithë jetën”, tha ajo.
Llalloshi tha se në 38 komunat e Kosovës funksionojnë qendrat për punë sociale ndërsa shumica prej tyre nuk kanë kushte të përshtatshme dhe personel të mjaftueshëm.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka kërkuar llogaridhënie institucionale dhe tri veprime urgjente për mbrojtjen e grave nga dhuna, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit.
Duke folur për vrasjen e Arlinda Zekajt, Musliu tha se ky rast është dëshmi e dështimit të sistemit për të mbrojtur jetën e grave. Musliu bëri të ditur se të martën ka kërkuar që drejtori i Policisë të ftohej për raportim në Komisionin për Siguri lidhur me rastin, por, sipas saj, anëtarët e Vetëvendosjes kishin votuar kundër.
“Duhet rishikimin urgjent të rasteve me rrezik të lartë. Policia, Prokuroria dhe Shërbimet Sociale duhet të koordinohen sot, për të identifikuar gratë në rrezik. Urdhri i mbrojtjes duhet të jetë siguri në praktikë dhe jo thjesht një document i vdekur në letër”, tha Musliu.
Ajo tha se neglizhenca përballë dhunës nuk është gabim procedure, është bashkëfajësi në krim.
Musliu kërkoi krijimin e skuadrave të specializuara brenda Policisë për vlerësimin e rrezikut në rastet e dhunës në familje si dhe shkarkim të menjëhershëm e ndjekje penale për çdo zyrtar shtetëror që neglizhon sinjalet e dhunës, përfshirë policët, prokurorët, gjyqtarët dhe punëtorët socialë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, tre ditë pasi me letër kërkoi zyrtarisht nga institucionet e Republikës së Kosovës që të mbrohet. Ditën e djeshme u mbajt protestë në kërkim të llogaridhënies për rastin e Arlinda Zekajt ndërsa një protestë e ngjashme u paralajmërua edhe sot.