
Autoritetet në Shqipëri kanë reaguar në lidhje me raportimet se disa institucione në Shqipëri kanë marrë mesazhe elektronike kërcënuese për vendosjen e bombave, transmeton AA.
Në një njoftim për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka konfirmuar se në adresat elektronike zyrtare të disa institucioneve shtetërore është dërguar një mesazh kërcënues, në të cilin pretendohet për vendosjen e lëndëve shpërthyese në ambientet e tyre.
“Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet. Deri tani, nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit vijojnë punën për identifikimin e burimit të mesazhit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, në lidhje me rastin ka reaguar edhe Agjencia për Media dhe Informim e Shqipërisë (MIA), e cila thekson se email-et kërcënuese që po qarkullojnë janë pjesë e një fushate dezinformimi, sipas analizave paraprake.
“Policia e Shtetit, AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) dhe AKSK (Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike) po vijojnë verifikimet për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e MIA-s.
Në media është publikuar gjithashtu përmbajtja e një prej mesazheve kërcënuese, i cili dyshohet dhe pretendohet se është shpërndarë në një numër të madh adresash elektronike.
Në email, që pretendohet se vinte nga udhëheqësi i një grupi paraushtarak serb, njoftonte se ishin vendosur mjete shpërthyese në ndërtesat e institucionit.
Email-i pretendonte gjithashtu se sulmet në fjalë do të vazhdonin derisa “Kosova të njihej si territor serb”.