
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, paralajmëroi për armatosjen intensive të Serbisë, duke deklaruar se ky vend posedon raketa hipersonike kineze me rreze veprimi mbi 400 kilometra.
Këto deklarata Anushiq i ka bërë pas takimit me ministrin e Mbrojtjes të Hungarisë, Romulusz Ruszin-Szendi, të enjten në qytetin kufitar hungarez Lenti.
“I kam tërhequr vëmendjen ministrit edhe për retorikën shqetësuese politike të Serbisë, e cila përbën faktorin më të madh të destabilitetit në Evropën Juglindore”, shkroi Anushiq në rrjetin social amerikan X.
Ai ka përshëndetur ndryshimet politike në Hungari dhe, duke iu drejtuar ministrit të ri të Mbrojtjes, ka theksuar se Serbia po armatoset seriozisht me sisteme ofensive dhe posedon raketa hipersonike kineze me rreze veprimi mbi 400 kilometra.
Anushiq u takua të enjten në qytetin kufitar hungarez Lenti me ministrin hungarez të Mbrojtjes, Romulusz Ruszin-Szendi. Ky ishte takimi i parë dypalësh pas ndryshimit të pushtetit në Hungari.
“Pikërisht për këtë arsye, ky takim ishte një mundësi që pala kroate të përcillte mesazhe lidhur me situatën e sigurisë dhe atë gjeopolitike në Evropën Juglindore, por edhe për të vendosur një nivel të ri të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes”, ka thënë ministri kroat i Mbrojtjes.
Ministrat kanë diskutuar mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes industrive të mbrojtjes, ndërsa Anushiq ka prezantuar kompanitë kroate të sektorit të mbrojtjes dhe produktet e tyre që mund të jenë me interes për ushtrinë hungareze.
Anushiq e ka ftuar ministrin hungarez të Mbrojtjes në ASDA, ekspozitën ndërkombëtare të armatimit dhe pajisjeve ushtarake, e cila do të mbahet nga 27 deri më 29 prill 2027 në Zagreb. Ai e ka ftuar gjithashtu për një vizitë në Laslovo, një vendbanim në lindje të Kroacisë me shumicë hungareze.
Dy ministrat kanë vlerësuar se bashkëpunimi dypalësh në fushën e mbrojtjes mes Kroacisë dhe Hungarisë është i mirë, por kanë shprehur dëshirën për ta çuar atë edhe më tej. Sipas ministrave, interesi i përbashkët i të dyja palëve është ruajtja e stabilitetit në Evropën Juglindore.