Fillimi LajmeFushata zgjedhore në Serbi nxit reagime në Kosovë

Fushata zgjedhore në Serbi nxit reagime në Kosovë

nga Shekulli Agency

Deklaratat e zyrtarëve serbë lidhur me pretendimet territoriale ndaj Kosovës dhe shfaqja publike e Milan Radoiçiqit, i kërkuar për sulmin e armatosur në Banjskë, në një tubim elektoral të partisë në pushtet në Serbi, kanë nxitur reagime nga udhëheqës të institucioneve në Kosovë, raporton AA.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu dhe zv/kryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, kanë reaguar ndaj pamjeve të publikuara nga mediat serbe ku shfaqet Radoiçiq përkrah Danilo Vuçiqit, të birit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në një tubim elektoral të Partisë Progresive Serbe (SNS) në Kragujevc.

Kryeparlamentarja Haxhiu deklaroi se prania e Radoiçiqit në tubimin e partisë SNS dëshmon se ai jo vetëm që gjen strehë në Serbi, por edhe pritet në rrethet e pushtetit.
Haxhiu tha se Radoiçiq mori publikisht përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjska të Zubin Potokut, sulm i cili, siç tha ajo, synonte të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Njeriu që mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi dhe që kërkohet ndërkombëtarisht, në vend që t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, shfaqet lirshëm në tubimin e partisë në pushtet në Serbi. Kjo nuk mund të trajtohet thjesht si mungesë e bashkëpunimit me drejtësinë. Prania e tij në rrethet e afërta me pushtetin ngre pyetje të drejtpërdrejta për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe, të cilat duhet t’i japin fund mbrojtjes së tij dhe ta dorëzojnë në Kosovë, ku duhet të përgjigjet për sulmin që organizoi”, shkroi Haxhiu.

Ajo tha se një sjellje e tillë kërkon reagim të qartë edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit dhe të personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë autoriteteve të Kosovës duhet të shoqërohet me trysni konkrete dhe pasoja për mosdorëzimin e tyre.

“Për Kosovën, drejtësia për Afrim Bunjakun dhe vënia para përgjegjësisë e organizatorëve të sulmit në Banjskë mbeten detyrim i patjetërsueshëm. Vendi i tyre është para gjykatave të Republikës së Kosovës. As koha e as afërsia me pushtetin në Beograd nuk do t’i amnistojnë ata që e përgatitën dhe e kryen sulmin”, shtoi Haxhiu.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, duke i ndërlidhur ato me deklaratat e zyrtarëve serbë për pretendimet territoriale ndaj Kosovës.

Konjufca ka përmendur deklaratën e zv/kryeministrit serb, Ivica Daçiq, i cili gjatë një tubimi zgjedhor ka thënë se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”.

“Një retorikë e tillë dëshmon se ambiciet territoriale të Beogradit nuk i përkasin aspak së kaluarës”, shkroi Konjufca.

Ai tha se vetëm dy ditë më vonë nga kjo deklaratë, Radoiçiq, i kërkuar nga Interpoli për sulmin terrorist që e organizoi në Banjskë, u shfaq përkrah Danilo Vuçiqit në tubimin e partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kragujevc, ku Vuçiqi kërcënoi sërish pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Serbia nuk mund të pretendojë se angazhohet për paqe dhe integrim evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë e kontestojnë haptazi sovranitetin e Republikës së Kosovës, kurse organizatori i sulmit terrorist me viktima në Banjskë, i cili e ka pranuar vetë përgjegjësinë për organizimin e tij, vazhdon të jetë i lirë dhe të shfaqet publikisht përkrah familjes së presidentit, në vend që të përballet me drejtësinë”, theksoi Konjufca.

Kryediplomati kosovar po ashtu kërkoi që komuniteti ndërkombëtar t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, ashtu siç nuk është e negociueshme as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, shtoi Konjufca.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies