
Policia britanike po shqyrton një postim në rrjetet sociale të bashkëshortes së këshilltarit për sigurinë kombëtare, Jonathan Powell, i cili i referohet grupit të ndaluar Palestine Action.
“Zoti na ndihmoftë ne shkrimtarëve që mbështesim Palestinën dhe Palestine Action”, shkroi Sarah Helm, shkrimtare dhe gazetare, në rrjetin social amerikan X.
Siç raporotn BBC, ajo po i përgjigjej një diskutimi në Sky News lidhur me shkrimtaren Sally Rooney, librat e së cilës nuk do të furnizohen më te libraritë në Mbretërinë e Bashkuar, pasi ajo njoftoi se synon t’i përdorë të ardhurat nga të drejtat e autorit për të mbështetur grupin.
Policia Metropolitane tha se ishte vënë në dijeni për postimin e Helm, të publikuar më 15 tetor.
“Postimi është duke u shqyrtuar për të përcaktuar nëse mund të jetë i nevojshëm ndonjë hetim i mëtejshëm policor”, tha një zëdhënës.
Një zëdhënëse e qeverisë britanike deklaroi se Helm është “një individ që nuk e përfaqëson qeverinë në asnjë cilësi”.
Deputeti i Reform UK, Danny Kruger, i shkroi kryeministrit për të shprehur shqetësimet lidhur me postimin, ndërsa organizata Campaign Against Antisemitism i bëri thirrje Powellit ta dënojë publikisht atë.
Kreu i Partisë së Gjelbër, Zack Polanski, e mbrojti Helm, duke u shprehur se ajo “duhet të vlerësohet për guximin e saj” dhe i kërkoi qeverisë të heqë menjëherë ndalimin ndaj Palestine Action.
Qeveria britanike e shpalli Palestine Action organizatë terroriste në vitin 2025, duke e bërë anëtarësimin ose mbështetjen e grupit vepër penale, e dënueshme me deri në 14 vjet burg.
Vendimi shkaktoi protesta, gjatë të cilave, sipas BBC-së, rreth 3.700 persona u arrestuan në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për shprehjen publike të mbështetjes ndaj grupit.
Rreth 2.500 persona janë akuzuar, por çështjet e tyre nuk kanë shkuar ende në gjyq, ndërsa pritet të shqyrtohet sfida ligjore kundër shpalljes së grupit organizatë të ndaluar. Gjykata e Lartë pritet ta shqyrtojë këtë çështje muajin e ardhshëm.