Technology Turkish 2015-2025
Fokus
Jemi mësuar ta përdorim vetëm për punë, ndërsa emri i kësaj kafshe përdoret shpesh edhe për tallje. Por orniotologu malazez, Darko Saveljic ka bërë një fermë dhe kujdeset në mënyrë të veçantë për këto kafshë, pasi ai u merr atyre qumështin. Ferma është e ndërtuar në fshatin Martinići pranë Danilovgradit. Saveljic shpreh shqetësimin se lloji i gomarit tani përballet me zhdukjen.
“Qumështi i gomarit është shumë popullor dhe i shtrenjtë, sepse ai ka një funksion të fuqishëm terapeutik në mjekësi”, thotë ai.
Qumështi i gomarit është vlerësuar shumë nga grekët e lashtë dhe romakët dhe sipas traditës, mbretëresha egjiptiane Kleopatra ishte larë me qumësht gomari për të ruajtur bukurinë dhe rininë.
“Përmes Serbisë nga fillimi i vitit kanë kaluar rreth 60 mijë refugjatë të pa regjistruar”
Deri më sot, rreth 100 mijë persona kanë shprehur synimin për të kërkuar azil, kurse supozohet se edhe 60 mijë persona tjerë kanë kaluar duke mos u evidentuar.
Sipas Qendrës për Mbrojtjen e Azilkërkuesve (CZA) me saktësi nuk mund të përcaktohet numri i refugjatëve të cilët kanë kaluar nëpër Serbi, por sipas parashikimeve të tyre besohet se kjo shifër është më e lartë se 160 mijë, dhe mbajtja e tyre në Serbi mesatarisht shkon midis tre dhe pesë ditë.
“Nuk e di saktësisht se sa njerëz kanë hyrë në Serbi, por ende kjo shifër është në mes një mijë dhe dy mijë persona në ditë. Deri më sot, rreth 100 mijë persona kanë shprehur synimin për të kërkuar azil, kurse ne supozojmë se edhe 60 mijë persona tjerë kanë kaluar duke mos u evidentuar, që do të thotë se totali që nga fillimi i këtij viti shifra tejkalon 160 mijë njerëz që kanë hyrë dhe kanë kaluar nëpër Serbi”, tha Radosh Gjuroviç në një intervistë me AA.
Ai theksoi se shumica e refugjatëve vijnë nga Siria, 80 përqind. “Këta janë njerëz janë refugjatë të vërtetë. Shpesh udhëtojnë familje të tëra, tre breza të prindërve, fëmijëve dhe gjyshërve së bashku. Gjithnjë e më shumë ka gra dhe fëmijë, kur them gra dhe fëmijë, këta janë njerëz që kurrë nuk do të largoheshin nga shteti i tyre dhe vendbanimet e tyre, po të mos ishte lufta”, tha Gjuroviç.
– Deri tek të hollat në mënyra të ndryshme –
Sipas tij, njerëzit që kalojnë përmes Serbisë janë të profileve të ndryshme. Kryesisht të klasës së mesme, edhe pse ka të ndryshëm. Disa prej tyre janë me arsim të mesëm ose me arsim të lartë, por ka edhe fermerë dhe tregtarë, të rinj që largohen nga lufta, dhe ata që duan të studiojnë.
“Do të thoja se kjo është më shumë një eksod se sa largim sistematik nga vendi, sepse me të vërtetë çdonjëri gjendet si mundet. Prandaj emigrimi është i pandalshëm, sepse njerëzve nuk u mbetet tjetër zgjidhje, ata nuk mund të kthehen, nuk kanë ku”, theksoi Gjuroviç.
Prandaj, sipas tij, refugjatët insistojnë që sa më shpejt të kalojnë rrugën që mos të bëjnë shpenzime, sepse çdo vonesë kushton.
“Për dallim nga Maqedonia, ku ata vazhdimisht janë ekspozuar nga dhuna e grupeve të ndryshme kriminale, probleme të vazhdueshme në rrugë, rrahje, shantazhe, rrëmbime, në Serbia këto gjëra janë disi më pak të pranishme”, tha Gjuroviç.
Ai theksoi se “një problem tjetër është se gjithçka paguajnë shumë fish më shtrenjtë, ka një zinxhir të tërë të njerëzve të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore, të cilat janë të lidhur me hostele dhe shoferët e taksive dhe i gjithë rrjeti përfiton nga vuajtjet e këtyre njerëzve”.
Duke theksuar se kontrabandistët “kërkojnë shuma të larta dhe se dinë ti lëndojnë, ti mbyllin”, shton se në Qendër ka shpesh raportime “se njerëzit i mbyllin në banesë, të harruar në Beograd, të zhveshur lakuriq, të rrahur dhe për shkak se nuk kishin para për të dhënë”.
Gjithashtu, refugjatë në Serbi janë të ballafaquar me mungesë të kushteve higjienike, sidomos kur ata janë në mjedise të hapura urbane të qyteteve.
“Ata takohen edhe me mikpritjen, një numër i njerëzve i ndihmon ata, ose me nismën e tyre ose përmes organizatës tonë dhe mjete të tjera, kështu që komenti i tyre është se në rrugëtimin e tyre, Serbia është në vend të parë ku ata janë trajtuar ndryshe, veçanërisht ndryshe sesa në Greqi dhe Maqedoni”, shton Gjuroviç.
– Pa shprehje raciste dhe ksenofobe-
I pyetur për nivelin e racizmit dhe ksenofobisë në mesin e qytetarëve të Serbisë ndaj refugjatëve, Gjuroviç thotë se kjo nuk është e pranishme dhe se situata është krejt e kundërta.
“Ajo që është shumë shqetësuese është prania gjithnjë e më e madhe e politikanëve lokalë të cilët po përpiqen që ta rrisin ksenofobinë, racizmin, dhe thjesht kjo tendencë mund të çojë në probleme. Ne jemi dëshmitarë në Kanjizha, ku kryetari thotë se ata janë më pak inteligjent, u vjen era, janë të pistë, të ndajnë autobusët për qytetarët dhe për emigrantët. Ky nuk është shembulli i vetëm i Kanjizhës, pyetja është se kur të tjerët do të përpiqet të përfitojë nga kjo. Për fat të mirë, një pikëpamje e përgjithshme ende vazhdon se njerëzit kanë nevojë për ndihmë dhe kjo shihet”, tha Gjuroviç.
BEOGRAD (AA) – Kristina Maslarević
Belul Beqaj: Asociacioni i Komunave Serbe, “Kali i Trojës” për rrënimin e Kosovës
Pas nënshkrimit të Marrëveshjeve ndërmjet të qeverive të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, për energji, telekomunikacion, themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, dhe lëvizjen e lirë mbi urën e Ibrit, reagimet në Kosovë ishin të menjëhershme dhe negative.
Në veçanti, opozita politike kosovare ka kundërshtuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e konsideruar si marrëveshje që cenon integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Belul Beqaj, politolog dhe njohës i mirë i zhvillimeve në rajon, themelimin e Asociacionit të Komunave serbe, në afat të gjatë, e sheh si mjet nëpërmjet të cilit Serbia do të krijojë bazë ligjore për të pasur pjesë në qeverisjen e Kosovës dhe për ta bllokuar zhvillimin e shtetit.
Duke folur për Anadolu Agency, ai kthehet shtatë vite më parë, më saktësisht në ditën e pavarësimit të Kosovës (17 shkurt 2008), kur gjatë një emisioni televiziv kishte deklaruar publikisht se, çështja e raportit me Serbinë nuk ka përfunduar, siç thoshte sintagma “Bac u kry” ngase, sipas tij, do të ndodhë një proces i gjatë i ndarjes së sovranitetit mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe e cila, në asnjë mënyrë nuk e ka njohur shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.
Për dallim prej analistëve të tjerë, Beqaj nuk e sheh si problem formën e krijimit të Bashkësisë së Komunave serbe, gjë të cilën ia atribuon dështimeve të elitës politike kosovare por, përmbajtjen e marrëveshjes dhe mënyrën se si ka ardhur deri te kjo.
“Komunat të cilat kanë qenë të decentralizuara i kemi rikthyer drejtë Serbisë dhe në vend se, komunat të cilat nuk pranuan decentralizimin, pra katër komunat e veriut, të decentralizohen si ato gjashtë komunat tjera, ne e kemi bërë një kthim prapa dhe komunat e decentralizuara, faktikisht ia kemi bashkangjitur si instrument të shtuar të Serbisë e cila, përmes së Lista Srpska tani ka bërë një lloj të centralizimit të komunave të decentralizuara” vlerëson Beqaj duke shtuar se Asociacioni i Komunave serbe nuk ka shtuar kompetenca por kompetencave ekzistuese të 10 komunave të decentralizuara, faktikisht iu ka shtuar fuqinë dhe ka krijuar një sinergji të kompetencave për arsim, kulturë, shëndetësi, planifikim urban dhe rural, si dhe për zhvillim ekonomik.
“Ata serb dhe ajo Serbi që nuk e kanë njohur në asnjë formë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, tani ka krijuar një mekanizëm që do ta stigmatizoj, si kali i Trojës brenda Kosovës, jo për ta fuqizuar shtetin, jo për ta njohur shtetin dhe pavarësinë e Kosovës por, për ta bërë de-tronizimin e saj” tërheq vëmendjen Beqaj.
Ai paralajmëron se, me rastin e parë të pakënaqësisë, serbët do të shpallin një lloj të referendumit dhe pastaj Kosova do të ketë probleme të ngjashme me ato që i ka Bosnja dhe Hercegovina sepse për ta bërë këtë, serbët tani kanë dy mekanizma: dy të tretën që mund ta përdorin në Kuvend dhe Asociacionin e Komunave si entitet i pavarur me veçantitë e veta, simbolikën, stemën, flamurin, fondet, tatimet, doganat që nuk i paguan, policinë që e propozon vet, madje edhe të drejtën për përfaqësim ndërkombëtarë, që Beqaj e quan si Ministri të Jashtme të Asociacionit.
Sipas Beqajt, në momentin e caktuar kur shteti i Serbisë do të ketë nevojë, ai do t’i përdorë serbët e Kosovës për interesat e veta dhe kjo do t’i kushtoj shumë shtrenjtë Kosovës, për arsye se, nuk do të merret me konsolidimin e shtetit të vet, por çështjen e konsolidimit do ta fokusojnë vetëm tek serbët.
“Ne faktikisht, në vend se të kemi një politikë dhe strategji zhvillimore për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e tij, ne do të kemi një politikë e cila do të fokusohet në problemin e serbëve dhe të Serbisë në Kosovë” thotë Beqaj për të cilin, një çështje tjetër problematike do të jetë zbatimi i marrëveshje të arritura, në terren.
Sipas tij, një nga vështirësitë kryesore deri tani, në 16 marrëveshjet e nënshkruara, ka qenë dhe mbetet zbatimi i tyre.
Një problem tjetër të cilin e theksson Beqaj është, aprovimi i Statutit të Asociacionit nga niveli më i lartë i dialogimit dhe jo institucionet e Kosovës.
“Këtë dokument duhet ta aprovojë niveli më i lartë i dialogimit. Pra, nuk e aprovon një institucion në Kosovë por niveli më i lartë i dialogut, që i bie se do ta analizojnë Mogherini me ekipin e vet dhe ndoshta përfaqësuesit negociator të Serbisë dhe Kosovës, që është një koncept jashtë institucional dhe nuk ka të bëjë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës por, ka të bëjë me një proces politik” vlerëson Beqaj dhe i kundërshton ata të cilët thonë se, krijimi i këtij Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke kërkuar që t’i tregojnë se “në cilën pjesë të Kushtetutës së Kosovës shkruan që, Asociacioni i Komunave e jep propozimin e komandantit të policisë”.
I pyetur që të komentojë deklaratat e partive opozitare të cilat e akuzuan lidershipin e koalicionit qeveritar, PDK-LDK, për tradhti dhe kërcënimet se do të ndërmarrin gjithçka që kjo marrëveshje të mos gjej zbatim në praktikë duke mos lejuar cenimin e sovranitetit të shtetit dhe nëse do të ketë destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë, Beqaj u përgjigj se opozita nuk mund të ketë aq ndikim për ta destabilizuar situatën sepse edhe ajo vet ka qenë pjesëmarrëse në ndërtimin e kësaj politike, derisa ka qenë në koalicion dhe ka pasur pretendime të jetë partnere e koalicionit.
Beqaj, njohës i mirë i marrëdhënieve shqiptaro-serbe, konsideron se ka shumë pak hapësirë që të ndryshohet marrëveshja e arritur sepse, faktori ndërkombëtarë është involvuar shumë në këtë proces. Si rrugëdalje të vetme për neutralizimin efekteve negative, Beqaj e sheh ndërhyrjen dhe ndryshimet e mundshme në Statutin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe dhe kjo, sipas tij, duhet të shfrytëzohet maksimalisht, me qëllim të qetësimit të situatës dhe parandalimit të përshkallëzimit të saj.
Ai sugjeron që, para aprovimit të Statutit të Asociacionit duhet të alarmohet bashkësia ndërkombëtare për pasojat e mundshme dhe destabilizimin e situatës si rezultat i provokimit nga ana e Asociacionit të Komunave serbe.
“Nëse për shembull, ndodh që të provokohet nga ana e serbëve që Asociacioni i Komunave serbe, meqenëse e kanë të drejtën për ta pasur flamurin e vet, e marrin një shenjë që e simbolizon Serbinë unë mendoj se do të jetë vetëm një shkëndijë që të arrihet sa më shpejtë deri te çrregullim dhe pakënaqësitë e shumicës në Kosovë” thotë Beqaj i cili bënë thirrje që, intervenimet të bëhen me kohë, për t’iu shmangur ‘shkaseve’ për destabilizimin eventual të Kosovës.
Si shkase, Beqaj përmend çështjen e flamurit, stemës, çështjen e gjykatave që po kërkojnë ta kenë në kuadër të kompetencave të Bashkësisë së Komunave, çështjen e pronës që e kanë ngrit dhe ka mbetur pezull dhe që mund të shkaktojë telashe të mëdha.
“Ne e kemi për shembull, Liqenin e Ujmanit i cili është burim, eliksir i jetës së Kosovës dhe nëse eventualisht hapet çështja e pronësisë kur është në pyetje çështja e Liqenit dhe në kuadër të kompetencave që i kanë komunat, që kanë të drejtën e zhvillimit ekonomik dhe në planifikimin hapësinor, nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pretendime që ta kenë menaxhimin total të Liqenit meqenëse është në territorin e Zubin Potokut dhe në pjesën e veriut” thotë Belul Beqaj, duke ritheksuar nevojën për t’i evituar shkaqet dhe shkaset të cilat mund të shkaktojnë ç’rregullime dhe destabilizime, protesta dhe demonstrata masive.
Në pyetjen tonë nëse opozita politike kosovare, e cila kohëve të fundit është shumë aktive, mund të shkaktoj krizë eventuale politike të përcjell me demonstrata dhe pakënaqësi qytetare, duke ndikuar në prishjen e koalicionit dhe zgjedhjet e parakohshme, Beqaj u përgjigj negativisht.
Ai nuk beson se koalicioni mund të prishet për shkak të veprimeve të opozitës por, koalicioni mund të prishet nëse populli shqiptarë zbulon se “ka një pikë të vlimit”.
“Kam menduar disa herë se është një shkallë kur duhet të vlojë populli shqiptarë, për shkak të pakënaqësive ekonomike, sociale, politike, shëndetësore, etike e dosido, por unë mendoj që çështja e pakënaqësisë është grumbulluar dhe është shtresuar dukshëm dhe pikërisht pakënaqësia dhe fakti se po kthehen të rinjtë dhe nuk kanë përgjigje për ekzistencën e tyre, mund të jetë një shkëndijë e cila mund t’i ndryshoj raportet dhe të shkaktojë zgjedhje të reja” konsideron Beqaj.
Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg deklaroi se të hënën Facebook-un e ka përdorur çdo i shtati banorë i rruzullit tokësor.
Rrjeti social Facebook për herë të parë përdoret nga një miliard njerëz në një ditë.
Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg deklaroi se të hënën Facebook-un e ka përdorur çdo i shtati banorë i rruzullit tokësor.
Facebook në qershor të këtij viti kishte 968 milionë përdorues aktivë në ditë. Rrjeti social ka 1.5 miliardë përdorues që janë aktivë të paktën një herë në muaj.
Numri i përdoruesve arriti në një miliard në tetor 2012.
Gjithashtu është interesante se shumica e përdoruesve të Facebook jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.
Italianja 84 vjeçe tërë pasurinë se saj prej 2.500.000 dollarë ia lë qenit të saj. Ajo jeton me vajzën dhe disa nipër e mbesa, por megjithatë në testament si trashëgimtar të vetëm është qeni i saj Kiko. Qeni do të trashëgojë dy apartamente, disa prona dhe shumë llogari bankare.
Ky lajm u njoftua nga avokati të saj, i cili tha se testamenti është nënshkruar me dorë, menjëherë pas vdekjes së burrit të saj. Megjithatë, në Itali lërja e pronës kafshëve shtëpiake nuk ka bazë ligjore. Ata që do të duan ta bëjnë këtë duhet të përcaktojnë see kush do të jetë zbatuesi që duhet të sigurojë cilësinë e jetës së kafshës
Shqipëria në aksion për asgjësimin e bimëve narkotike, në Lazarat zhduket fenomeni
Fatjon Cuka
Ndërhyrja e Policisë së Shtetit Shqiptar në Lazarat një vit më parë për asgjësimin e bimëve dhe lëndëve narkotike në këtë zonë do të përbente një kthesë në operacionet anti-drogë në Shqipëri, konkretisht anti-kanabis. Përfundimi i atij operacioni të komplikuar dhe disa ditor, do të shtronte terrenin edhe për nisjen e operacioneve të ngjashme në zona të tjera të vendit, si në Shkodër, Krujë, Tepelenë, Vlorë, Gjirokastër, Durrës, etj.
Por lindin pyetjet pse kaq shumë kultivim të bimëve narkotike në Shqipëri? Pse konkretisht në disa rajone të veçanta?Si dhe sa është i shtrirë fenomeni i kultivimit të kanabisit? Si janë rezultatet e operacioneve në dy vitet e fundit anti-kanabis?.
Për të mësuar më shumë rreth këtyre pyetjeve Anadolu Agency (AA) ka marrë prononcimin e Drejtorit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimeve në Policinë e Shtetit Shqiptar, Skënder Kalemi.
Kalemi shprehet se operacionet anti-kanabis në vend kanë të bëjë me një nga misionet dhe detyrat e policisë së shtetit që është aktualisht e angazhuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë për të gjithë aktivitetin e mundshëm kriminal, por aksionet janë edhe sipas planit të veprimit kombëtar miratuar nga ministri i Brendshëm dhe policia sipas tij është e angazhuar totalisht në identifikimin, asgjësimin e bimëve narkotike, kudo që ato ndodhen.
Ndërkohë për momentin operacioni anti-kanabis është duke vazhduar në Dukagjin, ku ka një specifike ndryshe nga zonat e tjera sepse shtrihet në një terren jashtëzakonisht malor, që paraqet vështirësi për të shkuar në destinacion.
“Fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike pothuajse është në të gjithë brezin malor që shtrihet në Ultësirën Perëndimore. Ky terren dhe afërsia me detin krijon kushte të mira për kultivimin e bimëve narkotike, por faktikisht sasia e kultivuar në zona të ndryshme është e ndryshme, më tepër dallohet në Malësinë e Krujës, në zonën e malësisë së Tepelenës dhe Vlorës, dhe të Dukagjinit në Shkodër. Ndërsa pjesët e tjera të territorit vendit kanë prani, por jo në përmasa të mëdha, por më të vogla”- shprehet Kalemi për AA.
-Lazarati, nga “Kolumbia e Shqipërisë” në zero kultivim-
Ndërkohë një nga operacioni më të rëndësishme anti-drogë në Shqipëri në vitet e fundit ishte ai i ndërmarrë në Lazarat, në muajt qershor-korrik 2014. Gjatë këtij operacioni disa ditor dhe përballë vështirësive të shumta u gjetën dhe u asgjësuan një sasi prej 71 ton e 87 kilogramë kanabis sativa dhe u asgjësuan rreth 133.567 rrënjëve bimë narkotike, së dhe u sekuestruan 5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroine.
Zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit Shqiptar, Skënder Kalemi në intervistën e tij me AA shprehet se operacioni i Lazaratit ishte i mirë studiuar dhe i përgatitur dhe me një organizim të mirë për vetë specifikën që kishte, pasi për një periudhë të gjatë kohe, gati për më shumë se një dekadë ishte jashtë kontrollit dhe pranisë policore. “Për këtë arsye ky operacion mori një seriozitet në organizim njëkohësisht dhe në veprim. Për momentin në Lazarat dhe zonat përreth atje nuk ekziston asnjë bimë narkotike. Në 2014 në Lazarat u asgjësuan mbi 133 mijë bimë narkotike, gati 71 ton mariuanë, 5 laboratorë të cilët përpunonin, 426 armë zjarri dhe sasi e konsiderueshme municioni”- shprehet Kalemi.
Sipas tij për këtë vit policia është në monitorim situatës dhe veprim aktiv në të gjithë territoret ku është prezent fenomeni i kultivimit dhe deri tani ajo ka identifikuar dhe asgjësuar për vitin 2015 rreth 425000 rrënjë të bimëve narkotike.
Në vitin 2014, sipas të dhënave zyrtare të policisë janë asgjësuar 530.177 bimë narkotike kanabis sativa dhe shtuar të dhënat e këtij vitit, kjo shifër po shkon gradualisht në rreth 1 milion bimë narkotike të asgjësuara për dy vitet e fundit, duke marrë parasysh se operacionet janë në vazhdim.
Kalemi deklaron se një ndihmëse të madhe në këtë drejtim, për evidentimin e bimëve narkotike në terren ka dhënë bashkëpunimi me Interforcë Italiane, që ka bërë monitorimin nga ajri me avionë me pajisje speciale, ku kanë përcaktuar në mënyrë specifike territoret, vendet dhe koordinatat.
Edhe në procesin e fundit në Dukagjin nga 224 parcela të identifikuara nga Interforca Italiane nëpërmjet monitorimit nga ajri, janë hequr 6 më tepër, me mbi 33 mijë bimë narkotike.
Kalemi deklaron në fund të intervistës së tij se ky operacion do të vazhdojë deri në asgjësimin e bimës së fundit narkotike të evidentuar dhe sipas tij forcat policore do të jenë të angazhuara për të asgjësuar përfundimisht këtë fenomen.
– Në substancat psikoaktive që përdoren më masivisht janë prodhimet e kanabisit-
Ndërkohë fenomeni i përdorimit të drogës pranohet si mëse i dukshëm edhe në Shqipëri nga autoritete shtetërore, duke u konsideruar me përmasa tejet shqetësuese për shoqërinë. Në fund të vitit 2014 Ministria e Shëndetësisë ka raportuar shifra zyrtare rreth këtij fenomeni, ku referuar këtyre të dhënave numri i përdorues/abuzuesve në Shqipëri ka kapur shifrat rreth 50-60 mijë. Në substancat psikoaktive që përdoren më masivisht janë prodhimet e kanabis (rreth 65 %); përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25% , rreth 10% janë përdorues të kokainës, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të Institut të Shëndetit Publik të Shqipërisë, sipas një studimi të fundit të kryer në vitin 2014, në Shqipëri prevalenca e përdorimit të drogave ilegale përgjatë gjithë jetës për grupmoshën 15-64 vjeç është kanabisi (11.6%), kokaina (4.7%), ekstasi 1%, heroina (0.7%), amfetaminat (0.4%) dhe LSD (0.1%). Këto shifra tregojnë se të rinjtë e moshës 15-34 vjeç janë përdoruesit më të shumtë të drogave ilegale në Shqipëri. Numri i përdorimit të substancave ilegale tek të rriturit, është 8 deri në 10 herë më e lartë te meshkujt sesa te femrat.
Për të mbajtur nën trajtim përdoruesit e drogës janë hapur qendra, pro edhe shoqata të ndryshme operojnë në këtë drejtim, ku njëra prej tyre është edhe Aksion Plus. Nga kjo shoqatë deklarojnë se ka 7 vjet qe po zbatojnë terapine me metadon në Tirane për rreth 490 klientë që e marrin terapinë çdo ditë. Aktualisht funksionojnë dhe pese qendra te tjera në Durrës, Korcë, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Vetëm në Tirane, pranë qendrës së Aksion Plus marrin shërbime të përditshme rreth 200 përdorues të drogave narkotike dhe këtu nuk janë përfshirë ata përfitues që janë në burg, Shërbim Prove apo në Komisariatet e Policisë, ku kjo organizatë ka shtrirë shërbimet për personat përdorues.
Ndërkohë edhe Shqipëria i është bashkangjitur thirrjes së Zyrës së OKB-së për Luftën ndaj Drogave dhe Trafikimit Ilegal të Tyre (UNODC), për të ndërmarrë hapa konkrete nëpërmjet promovimit dhe edukimit të sjelljeve të shëndetshme në popullatën e rrezikuar, dhe për të ofruar informacione edukuese të bazuara në të dhëna shkencore mbi pasojat e abuzimit të substancave ilegale. Strategjia Kombëtare aktuale Anti-drogë në Shqipëro (2012-2016) është konceptuar në trajtimin e katër aspekteve thelbësore për kontrollin e drogës: koordinimin strategjik, reduktimin e ofertës dhe aksesit për drogë, reduktimit të kërkesës, reduktimit të dëmit, dhe i kushton vëmendje të konsiderueshme frontit jo-represiv të këtij kontrolli.
Aeroporti Jaisalmer është një aeroport në Indi, i cili mund të akomodojë me qindra mijëra udhëtarë në vit, por ai ende nuk ka marrë asnjë pasagjer të vetëm. Ai është ndërtuar tre vjet më parë me një kosto prej 10 milionë funtash në qytetin e Rajasthan në veri-perëndim të Indisë.
Aeroporti i Jaisalmer ende mbetet i mbyllur dhe ka filluar të tregojë shenja të shkatërrimit. Stolat në sallën e pritjes janë të mbuluara me një shtresë të trashë të pluhurit, muret janë njollosura, fole të pëllumbave janë krijuar edhe në çati si dhe eshtrat e kafshëve të ngordhura janë shpërndarë në hyrje të këtij aeroporti. Terminali i boshatisur shtrihet prapa dyerve të mbyllura.
Vizitorët e vetëm të këtij vendi janë pastruesit dhe rojet e sigurisë të cilët janë punësuar për të patrulluar në këtë vend. Qeveria e Indisë është kritikuar shumë për krijimin e këtij aeroporti, ndërsa aeroporti më i afërt që është në funksion është 321 kilometra.
Numri i personave që vuajnë nga gurët në veshka sa vjen dhe rritet. Sipas një studimi të Universitetit Buffalo në SHBA gurët e veshkave nuk shkaktojnë dhimbje kur ndodhen në veshka, por menjëherë sapo dalin nga veshkat dhe futen në kanalin urinar mund të shkaktojnë dhimbje tepër të forta.
Simptomat janë ato tradicionale, dhimbje të forta në bark, temperaturë dhe ethe. Studiuesit këshillojnë që të keni kujdes me metodat që përdorni për të larguar gurët nga veshkat. Këshilla e parë është që të përdorni ilaçet, nëse vizitoheni sa më shpejt tek mjeku.
Këshilla e dytë është që të përdorni rrezet lazer për t’i hequr, si një mënyrë mjaft efikase. Por në asnjë rast nuk duhet që të konsumoni produkte që j’ua këshillojnë të tjerët, pasi mund t’ju bëjnë më keq.
Indiani Mahashta Murasi pretendon se është njeriu më i vjetër në botë, me plot 179 vite mbi supe.
Pavarësisht se të gjithë njerëzit refuzojnë ta besojnë diçka të tillë, web-faqja “World News Daily Report” shkruan se Murasi është njeriu më i vjetër në botë dhe njeriu që ka jetuar më gjatë në të gjithë historinë e njerëzimit.
I moshuari thotë se vdekja ka harruar ta marrë: “Prej vitesh më kanë vdekur të gjithë nipër e mbesa, ndërsa vdekja më ka harruar mua”.
Sipas regjistrave të gjendjes civile, Mursai ka lindur në Bangalore më 6 janar të vitit 1835. Aktualisht ai jeton në Varanasi, ku punoi nga viti 1903 deri në vitin 1957, deri kur vendosi të dalë në pension në moshën 122-vjeçare.
“Vdekja më ka harruar. Tani kam humbur të gjitha shpresat për të vdekur”, thotë ai.



