
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Numan Kurtulmus u takua me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi në kryeqytetin e Italisë, Romë, ku ndodhet me rastin e Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve Evropiane, transmeton AA.
Gjatë takimit të zhvilluar në kuadër të konferencës në Dhomën e Deputetëve të Italisë, Kurtulmus theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel të shkëlqyer dhe se komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut përbën një lidhje të fortë mes dy vendeve.
Duke theksuar se ashtu si për të gjitha vendet e Ballkanit, edhe sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut nuk e ndajnë nga ajo e Turqisë, Kurtulmus nënvizoi se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut me të gjitha institucionet e saj, ashtu siç ka bërë deri më tani.
Në takim morën pjesë sekretari i përgjithshëm i Grupit të Miqësisë Ndërparlamentare Turqi-Itali dhe deputeti i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) nga Stambolli, Yahya Çelik; anëtarja e delegacionit turk në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dhe deputetja e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) nga Çankiri, Pelin Yilik; anëtari i Grupit të Miqësisë Ndërparlamentare Turqi-Itali dhe deputeti i Partisë së Mirë (IYI Parti) nga Stambolli, Burak Akburak si dhe ambasadorja e Turqisë në Romë, Elif Çomoglu Ulgen.