Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) ka iniciuar një kërkesë për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta, me argumentin se përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit “ka kryer veprime në kundërshtim me kushtetutën”.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat tha se prej ditës së premte (30 prill) është institucionalizuar kërkesa e deputetëve drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për fillimin e procedurës për shkarkimin e presidentit Meta.
Duke folur në lidhje me kërkesën e deputetëve të partisë në pushtet, ai tha se “Kanë depozituar kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit për fillimin e procedurës së shkarkimit të presidentit të Republikës lidhur me vlerësimin e deputetëve kërkues se presidenti i Republikës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore ka kryer veprime që bien në kundërshtim me kushtetutën e vendit”.
“Ka vazhduar në mënyrë të vazhdueshme të kryejë veprime që bien në kundërshtim me frymën e ligjit dhe të kushtetutës dhe në këtë këndvështrim Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet me vendim në ditët në vijim lidhur me këtë kërkesë”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se presidenti i vendit duhet të përfaqësojë unitetin kombëtar. “Unë besoj që Kuvendi aktual e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më datë 8 korrik që është data e fundit e mbledhjes së këtij kuvendi”, theksoi më tej Balla.
Ndër të tjera në kërkesë thuhet se “Ilir Meta në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka humbur rolin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar dhe moderatorin e konfliktit politik. Përkundrazi me mesazhet e tij drejtuar publikut në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore ka treguar se linja e tij politike është e qartë, kundër maxhorancës në pushtet dhe popullit që atë e mbështet”.
Si do të zhvillohet procedura parlamentare?
Fillimisht kërkesa do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë. Më pas duhet të ngrihet komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar provat e paraqitura në kërkesë dhe në fund të procedurës parlamentare bëhet votimi në seancën e Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.
Propozimi për shkarkimin e presidentit duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (Kuvendi i Shqipërisë sipas kushtetutës ka 140 deputetë, ndërsa aktualisht ka 122).
Më pas, vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të vendit, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.
Kjo është nisma e dytë që ndërmerr Partia Socialiste për shkarkimin e presidentit Meta. Në korrik të vitit 2020, Kuvendi nuk vendosi për shkarkimin e presidentit Meta, pas kërkesës së Partisë Socialiste, për kontrollin e ligjshmërisë për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor 2019 dhe veprimeve dhe procedurës të ndjekur në kuadër të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë se Meta u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij sipas kushtetutës përfundon në korrik të vitit 2022.
