Fillimi PolitikëZelenskyy e quan marrëveshjen Trump-Putin për naftën dizel “të padrejtë dhe jo të ndershme”

Zelenskyy e quan marrëveshjen Trump-Putin për naftën dizel “të padrejtë dhe jo të ndershme”

nga Shekulli Agency

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të hequr sanksionet ndaj Rusisë dhe për t’i lejuar asaj të eksportojë naftë dizel është i “padrejtë dhe jo i ndershëm”

Në një intervistë për Axios, Zelenskyy tha se marrëveshja “duket si një dhuratë e bukur për ditëlindjen e Putinit”, duke se “duket absolutisht e tmerrshme”.

Zelenskyy tha se disa ditë më parë kishte biseduar me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff, për përpjekjet për të arritur një përparim diplomatik përpara dimrit dhe zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

“Steve propozoi të takoheshim në Florida. Dhe, natyrisht, pranova të shkoja atje dhe të flisnim për mundësitë e negociatave. Amerikanët thanë se kishin disa ide dhe ne ramë dakord të shkonim për t’i diskutuar”, tha ai.

Zelenskyy tha se të dërguarit amerikanë Witkoff dhe Jared Kushner nuk e përmendën një marrëveshje të mundshme për naftën dizel me Rusinë gjatë bisedimeve të tyre. Ai tha se kishte kuptuar që të dërguarit do t’i përcillnin Moskës mesazhet nga bisedimet në Florida dhe më pas mund të udhëtonin drejt Kievit për të negociuar një marrëveshje paqeje.

Zelenskyy tha se negociatorët e tij në Florida e kishin njoftuar rreth një orë para njoftimit të Trumpit se presidenti amerikan planifikonte të bisedonte me presidentin rus, Vladimir Putin dhe mund të shpallte një vendim për sanksionet, pa dhënë detaje të tjera.

“Në të vërtetë, kjo nuk është e ndershme, sepse ne u përpoqëm t’i ndërtonim marrëdhëniet tona në mënyrën më të mirë të mundshme. Duket sikur ata e shfrytëzuan këtë mundësi për t’u takuar me ne nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër telefonuan Putinin dhe negociuan me të”, tha ai.

Presidenti ukrainas tha se do ta kishte mbështetur lehtësimin e sanksioneve ndaj energjisë ruse si pjesë e një marrëveshjeje për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të të dy vendeve gjatë dimrit.

“Nëse çmimi është një armëpushim në sektorin energjetik, atëherë kjo negociatë është e mirë”, tha ai, duke shtuar se Trumpi me siguri do ta kishte njoftuar një përparim të tillë nëse Putini do të kishte rënë dakord.

“Çfarë përfitoi ai (Trumpi)? Që të ketë më shumë naftë dizel? Për kë? Më shumë naftë dizel ruse për amerikanët? Kjo tregon dobësinë e botës”, tha Zelenskyy.

Ai e krahasoi vendimin me samitin e vitit të kaluar në Anchorage mes Trumpit dhe Putinit, i cili, sipas raportimeve, përfundoi me pranimin nga presidenti amerikan të shumë kërkesave ruse lidhur me luftën në Ukrainë, pa marrë asgjë në këmbim.

Zelenskyy vuri në pikëpyetje nëse dhënia e një përfitimi Moskës pa një lëshim të dukshëm nga ana e saj do t’i ndërlikonte negociatat e mëtejshme diplomatike, por nuk tha se Washingtoni nuk mund të ndërmjetësonte më mes Kievit dhe Moskës.

“Ne kemi nevojë që amerikanët të përpiqen ta ndalin këtë luftë”, tha ai.

Zelenskyy tha se planifikonte të bisedonte me ekipin e tij negociator për të marrë një pasqyrë të plotë të diskutimeve me Witkoff dhe Kushner. Ai tha gjithashtu se dëshironte të kuptonte nëse marrëveshja për naftën dizel ishte e lidhur me vizitën e planifikuar të të dërguarve të Trumpit në Rusi.

“Nëse i lejoni ata të eksportojnë naftë dizel dhe mendoni se para kësaj duhet të shkoni në Rusi për të negociuar, atëherë duket sikur po e blini këtë takim”, tha Zelenskyy, duke theksuar se nuk e dinte nëse ky ishte vërtet qëllimi i Trumpit.

“Ndoshta nuk kam të drejtë”, tha Zelenskyy. “Por kështu duket. Përndryshe, pse ta bësh këtë?”, u shpreh më tej ai.

Biseda telefonike Putin-Trump

Dje, Putin dhe Trump biseduan përmes telefonit. Trump e përshkroi bisedën si një “diskutim shumë të suksesshëm”.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se bisedimet rezultuan në një marrëveshje që Rusia të “furnizojë menjëherë” tregjet amerikane dhe globale me më shumë se 300.000 tonë naftë dizel.

Ai tha se në nëntor do të furnizoheshin edhe 500.000 tonë të tjera, të ndjekura nga 1 milion ton dhe 3 milionë tonë shtesë “brenda një periudhe të shkurtër”, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse të naftës dizel.

Putini tha se furnizimi i tregjeve amerikane dhe globale me naftë dizel nga Rusia do të ishte në dobi të ekonomisë botërore.

Ai tha se të dy liderët diskutuan për sektorin global të energjisë, perspektivat për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, situatën në Iran dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies