Fillimi Opinion/AnalizaPolitika elastike dhe Rama e Basha

Politika elastike dhe Rama e Basha

nga Shekulli Agency

Nga Skënder Sadri KAPITI

Në këtë shkrim sot, unë nuk do bëj analizën dhe as të jap opinionin për  zgjedhjet e  25 Prillit, as se pse, si e qysh apo kush fitoi, por mendoj se do prek shkurtimisht atë që unë e quaj fenomen  politiko-demokratik evolutiv   dhe elastik.

Me politikë elastike unë i drejtohem lexuesit dhe mendoj se politika elastike është politikë jostatike, as egoiste, as fanatike dhe jo e ngurtësisë, por një politikë e cila ndryshon shpejt, kur duhet  dhe që i përgjigjet me sa të mundet pakënaqësive dhe deficiteve sidomos atyre sociale  e juridike të së shkuarës si dhe agjendave momentale të kohës dhe sidomos rasteve të krizave e fatkeqësive.

Politikë elastike do të thotë orvajtje dhe lëshim përpara, por kur ka pengesa dhe mospërputhshmëri atëhere bën ndalim, kritikë, kthesë, reagim apo edhe tërheqje duke akumuluar njohuri dhe energji për të gjetur  rrugën e duhur për t’u lëshuar e lëvizur përsëri përpara drejt më të mirës.

Njeriu sot nuk mund të jetë absolutisht apolitik, pasi cdo individ ka idenë, qëndrimin dhe preferencën e tij politike subjektiviste  lidhur edhe me interesin e tij personal; qëndrim  i cilI ndryshon përkarshi asaj se cfarë realisht realizon apo dështon një politikë apo një parti politike, sidomos kur ajo rastis që të qeverise.

Politika elastike ka të bëjë edhe në lidhje me marrëdhëniet me shtetet e tjera, ku avantazh ka ajo politike qeverisëse e cila përdor me efikasitet dhe shftytëzon miqësirat, njohjet dhe rrethanat ndërkombëtare për të përfituar sa më shumë për shtetin dhe shoqërinë, duke kapërcyer edhe tabutë.

Te Partia Demokratike , reformatori i saj Lulzim Basha nuk pati mirëkuptimin dhe as lehtësira për të aplikuar një politikë  rrënjësore e reformatore në PD, pasi ai u pengua nga elita e vjetër politike, nga ata prej të cilëve PD ishte kapur dhe shfrytëzuar për interesa përsonale e nepotiko-klanore, nga ish lideri i saj Sali Berisha dhe deviatorët e tjerë që u shpërndanë dhe formuan partiza fantazmë me qëllim dëmtimin  e Partisë Demokratike.

Ndryshimi i PD së me PS-në u duk në atë se Partia Demokratike nuk u shkëput tërësisht dhe as sa e si duhet nga sindroma e egoizmit, inatit dhe hakmarrjes kundër ndryshimit që kërkonte Lulzim Basha, i cili premtonte ndryshimin e Shqipërisë, por në një beteje edhe brënda vetë PD-së brënda së cilës pengohej ndryshimi.

Fakti që ishpersonalitete të larta karriere politike e pushteti në Partnë Demokratike si Murrizi, Topalli, Hajdari e Patozi kaluan në opozitë kundër Lulzim Bashës  e verteton këtë më së miri ashtu sikurse edhe tipat si Spartak Ngjela, Kreshnik Spahiu etj. që ishin opozitarë të Bashës.

Ndërsa ndryshe është elastika politike te Partia Socialiste , ku ajo qëndron monolite rreth lidershipit, i cili nuk ka pengesa për të vepruar ashtu si ia do edhe intersi i tij ,por edhe interesi i Partisë dhe antarësisë së PS. Pra Partia Socialiste duke shfrytëzuar edhe avantazhimn se ka pushtetin, pakënaqësitë dhe jodemokraciteti i brëndshëm nuk bëhen shkak devijancash e “tradhtish” si ndodh shpesh  te Partia Demokratike, dhe lidershipi i PS-së është “i lirë” që të veprojë edhe intuitivisht në kushte e rrethana që ai i gjykon se duhet bërë  ndryshimi apo prurjet e reja.

Pra, PS ka një politikë  evolutive dhe elastike të brëndshme, politikë e cila mbështetet edhe nga baza e që  nuk pyet shumë për preferenca, egoizma, subjektivizma, dhe as për hatërmbetje e për të tjera vogëlsira të parëndësishme.

Politika elastike e Partisë Socialiste në pushtet duket edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare me SHBA, BE, Turqinë, vendet  Arabe, Kinën etj., politikë e një realpolitike të cilën Edi Rama e ka shfrytëzuar për përfitime maksimale. Edi Rama ka kërkuar ndihma për të përballuar pasojat e tërmetit, si nga Brukseli e BE-ja, nga SHBA-ja por edhe nga Shtetet Islamike e Turqia, pa marrë parasysh se disa opozitarë dhe islamofobët e turkofobët fanatikë e akuzonin  se po na orienton nga  Stambolli apo nga Lindja , kur donacionet më të mëdha për tërmetin Rama i siguroi nga vëndet Islamike dhe ku promotor i kësaj ndihme ishte Turqia. Pra, Rama nuk ishte si politika e Enver Hoxhës që kur nuk kishte grurë për bukë Shqipëria i kërkonte ndihmë Kinës, dhe nga servilizmi u thoshte kinezëve se nuk duam grurë amerikan kur vetë Kina furnizohej nga SHBA me grurë.

Pra, Rama bëri një politikë elastike dhe ia arriti që të marrë ndihma dhe borxhe të mjaftueshme për të kapërcyer krizën e tërmetit. Dhe po kështu ai veproi edhe për kapërcimin e krizën së koronavirusit , ku bëri gjithcka të mundur për të siguruar vaksinimin e popullatës pa marrë parasysh se vaksinat vinin edhe nga Turqia  dhe se a ishin edhe  kineze apo ruse.

Ndërsa nga politika e brëndshme Partia Socialiste mundi që t’ia hipotekojë vetes së saj në qeverisje edhe meritën e miratimit të VETING-ut të sistemit të drejtësisë, pasi Shqipëeria dhe shqiptarët kishin 30 vite që vuanin nga krimi gjyqësor i korrupsionit, VETING i cili është jetik për Shqipërinë, pasi pothuajse nuk  ka familje shqiptare që nuk kishte rënë pre e padrejtësive. Po kështu qeverisja e PS realizoi dhe rreth 80% të legalizimeve të banesave e të bizneseve duke i pajisur qytetarët me dokumente pronësie.

Nuk po bëj avokatinë për qeverisjen Rama, pasi unë i kam bërë mjaft kritika pushtetit të tij  në lidhje me papunësinë, varfërinë, korrupsionin me tenderat dhe me paranë publike, me eksodin dhe në lidhje me qëndrimin ndaj Kosovës,  por parësore, të nevojshme dhe të prekshme  në këto vite për shqiptarët kanë qenë: e para vendosja dhe fillimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë me anë të VETING-ut i konsidereuar nga SHBA si problem jetik për shqiptarët, nderkohë që kritikë dhe pengues të kësaj reforme kanë qenë Ilir Meta, Sali Berisha, Bujar Nishani, ishKryeprokurori Llalla si dhe të gjithë gjyqtarët e prokurorët e emëruar politiksht, nepotikisht e korruptivisht prej tyre; së dyti: legalizimet e ndërtimeve dhe bizneseve si të dyja këto si probleme kryesore të trashëguara nga e kaluara , si dhe menaxhimi dhe kapërcimi i krizave të tërmetit e të pandemisë së koronavirusit.Lulzim Basha në rrugëtimin e tij ai arriti shumë në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, madje atë që nuk do ta arrinte askush tjetër nga garda e vjetër e pareformuar e Partisë Demokratike, madje ai gardën e vjetër e pati gurë në rrota, ferra  dhe pengesa edhe në këto zgjedhje.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies