Fillimi PolitikëKreu i BDI-së, Ali Ahmeti shpalos idenë për kryeministër të parë shqiptar

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti shpalos idenë për kryeministër të parë shqiptar

nga Shekulli Agency

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti shpalosi idenë e tij për kryeministër të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Nëpërmjet një video të drejtpërdrejt në rrjetet sociale, Ahmeti rikujtoi se Marrëveshja e Ohrit është duke u zbatuar, gjuha shqipe tashmë gëzon status të barabartë dhe formal ashtu si dhe flamuri kombëtar shqiptar si dhe Marrëveshja e Prespës është nënshkruar dhe Kushtetuta është ndryshuar.

“Ne jemi anëtar të plotë të NATO-s dhe po negociojmë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). Shqiptarët sot më shumë se kurrë drejtojnë poste kryesore, si gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe Kushtetuese, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, institucione kyçe shtetërore dhe kryetarin e Kuvendit”, u shpreh ai duke shtuar se tani ka ardhur koha për të arritur më shumë.

“Është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, shtoi ai duke theksuar se do të shkruajnë historinë për ta bërë ardhmërinë.

Ahmeti tha se mund t’i tregojnë botës se Maqedonia e Veriut mund të jetë në të vërtetë një shoqëri ku të gjithë mund të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të ndjehen të barabartë.

Ai pohoi se kjo ide është shumë më e madhe se çdo parti apo cilido person, duke shtuar se ideja nuk ka të bëjë me BDI-në ose me vetë atë.

“Kjo është një kauzë kombëtare shqiptare. Kjo është ëndrra jonë kombëtare. Ëndrra e barazisë së plotë, ëndrra e një shoqërie që fjalët i kthen në vepër. Kryeministri i parë shqiptar do të jetë një kryeministër për të gjithë, një kryeministër i barazisë, vendeve të barabarta të punës, pagave të barabarta, të drejtave të barabarta dhe i drejtësisë joselektive”, tha më tej Ahmeti.

Kreu i BDI-së, ndërkaq, nuk shpalosi se kush do të jetë kandidati i tyre për kryeministër.

Kujtojmë se Ali Ahmeti, për herë të parë më 5 qershor me rastin e 18-vjetorit të themelimit të partisë së tij, kishte shpalosur idenë e kryeministrit të parë shqiptar, ndërsa ish-kryeministri i vendit dhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev duke reaguar ndaj kësaj kishte thënë se “nëse ky është kushti për koalicion, BDI-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies