
Përvjetori i 23-të i vdekjes së Alija Izetbegoviqit, presidentit të parë të Presidencës së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, u shënua sot në Varrezat e Dëshmorëve “Kovaci” në Sarajevë, me vendosjen e luleve mbi varrin e tij, raporton AA.
“Alija na la detyrimin për të mbrojtur atë që kishte siguruar brezi më i mirë që ka udhëhequr ndonjëherë Bosnjë e Hercegovinën. Për herë të parë në 500 vjet, ndodhi një periudhë pesëvjeçare gjatë së cilës u drejtua shtylla kurrizore e boshnjakëve, u rikthye shtetësia e Bosnjë e Hercegovinës dhe u krijuan një ushtri e një rrjet diplomatik, e gjitha kjo në kushte të pamundura, nën një bllokadë”, tha Bakir Izetbegoviq, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (SDA) dhe djalë i presidentit të ndjerë.
Duke folur për atë se sa afër është Bosnjë e Hercegovina e sotme me shtetin që kishte menduar babai i tij, Izetbegoviq vërejti “se të gjithë e dimë që kjo nuk është një zgjidhje e përsosur, as në Marrëveshjen e Dejtonit ashtu siç u arrit, e as në periudhën e pas-Dejtonit”.
“Por, mendoj se po shkojmë drejt një gjendjeje normale, të tillë siç e dëshironin dhe për të cilën luftuan i ndjeri Alija Izetbegoviq dhe bashkëluftëtarët e tij. Prirja është e tillë, po lëvizim në atë drejtim, por shumë ngadalë”, shtoi Izetbegoviq.
Shefik Xhaferoviq, ish-anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, foli për jetën dhe veprën e Alija Izetbegoviqit, duke thënë se “ai la pas një Bosnjë e Hercegovinë tërësore dhe demokratike, një vend për të cilin, natyrisht, duhet të vazhdojmë të luftojmë”.
“Alija Izetbegoviq është personi më i rëndësishëm në historinë moderne të Bosnjë e Hercegovinës dhe ne gjithmonë do ta respektojmë atë dhe do ta kujtojmë veprën e tij”, tha Xhaferoviq.
Ai është i mendimit se dy fjalë e shënuan jetën e Izetbegoviçit: liria dhe Bosnja.
“Gjatë gjithë jetës së tij, ai luftoi për liri dhe për një Bosnjë e Hercegovinë të plotë e demokratike”, tha ai.
Xhaferoviq theksoi se brezat e ardhshëm duhet ta studiojnë veprën e të ndjerit Izetbegoviq.
“Gjeneratat që erdhën dhe që vijnë pas tij, e pas të gjithë neve, duhet ta studiojnë veprën e të ndjerit Alija Izetbegoviq, veprën e tij të shkruar dhe mesazhet e tij. Sot, Bosnjë e Hercegovina ndodhet në një lloj situate krize dhe ne duhet të pyesim gjithmonë veten se si do të kishte vepruar i ndjeri Alija Izetbegoviq në një moment të caktuar. Kjo është gjëja kyçe për mua kur flasim për presidentin e ndjerë”, shtoi Xhaferoviq.
Alija Izetbegoviqi ishte presidenti i parë Presidencës së shtetit të njohur ndërkombëtarisht të Bosnjë e Hercegovinës dhe Komandanti Suprem i Ushtrisë së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës gjatë agresionit kundër Bosnjë e Hercegovinës. Ai lindi më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac ndërsa ndërroi jetë më 19 tetor 2003 në Sarajevë. Është varrosur në varrezat e dëshmorëve “Kovaçi” në Sarajevë.
Vlerësohet se më shumë se 100 mijë njerëz, së bashku me një numër të madh zyrtarësh boshnjakë dhe ndërkombëtarë, morën pjesë në varrimin e Alija Izetbegoviqit. Besohet se ky ka qenë numri më i madh i njerëzve që kanë marrë pjesë ndonjëherë në një varrim në Sarajevë.
Ai u rrit dhe u shkollua në Sarajevë, ku edhe diplomoi në Fakultetin Juridik. Punoi si këshilltar ligjor për disa kompani në Sarajevë. Për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së tij politike, ai u burgos dhe u dënua në dy raste. Në të ashtuquajturin “Gjyqi i Sarajevës”, një proces i njohur me motive politike, ai ishte i pandehuri i parë në një grup prej 13 intelektualësh muslimanë dhe u dënua me 14 vjet burgim.
Alija Izetbegoviq inicioi formimin e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) dhe në kuvendin e parë themelues të partisë më 25 maj 1990, u bë kryetari i saj i parë. Pas fitores së SDA-së në zgjedhjet e para parlamentare shumëpartiake në vitin 1990, Izetbegoviqi u zgjodh si kryetari i parë i Presidencës së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës.
Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake të pasluftës në vitin 1996, ai u zgjodh anëtar dhe më pas kryesues i Presidencës së BeH-së.
Pasi shërbeu si anëtar i Presidencës së BeH-së për 10 vjet, ai dha dorëheqje nga posti i tij në vitin 2000 për arsye shëndetësore. Alija Izetbegoviq është autor i një sërë punimesh gazetarie, studimesh dhe librash, të cilët janë përkthyer në disa gjuhë të botës.