Fillimi PolitikëInstitucionet kosovare të koordinuara për mbarëvajtjen e zgjedhjeve më 14 shkurt

Institucionet kosovare të koordinuara për mbarëvajtjen e zgjedhjeve më 14 shkurt

nga Shekulli Agency

Institucionet e Kosovës për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit kanë koordinuar veprimet e tyre për një proces të lirë zgjedhor.

Institucionet që kanë nënshkruar më herët memorandum bashkëpunimi për procesin zgjedhor janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Policia e Kosovës dhe aktorë të tjerë.

Me këtë rast, përfaqësues të këtyre institucioneve përkatëse apeluan te subjektet politike dhe qytetarët e Kosovës që t’i respektojnë gjitha rregullat zgjedhore që janë në fuqi.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, theksoi se institucioni që ajo drejton do të përmbushë të gjitha detyrimet në funksion të arritjes së direktivave të përbashkëta institucionale.

“Vota siç e dini është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Kështu thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës kur flitet për të drejtën zgjedhore dhe të pjesëmarrjes. Ky duket si një përkufizim i shkurtër dhe i thjeshtë, por, që kjo të arrihet na duhet një angazhim i përhershëm”, tha Daka.

Në mbledhjen e cila organizua nga organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), u apelua që të mos fotografohet vota si një veprim shumë i shpeshtë në zgjedhjet e kaluara, si dhe për çdo rast të shkeljes së mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të raportohen shkeljet e identifikuara.

“Çdo fotografim i votës dhe publikim i saj do të ndëshkohet si dhe duhet të raportohet nga dëshmitarët”, tha prokurorja Laura Pula, e cila theksoi se Prokuroria e Shtetit po kështu është gati për të kontribuuar në drejtësinë e procesit zgjedhor.

“Edhe ne, sistemi prokurorial, së bashku me të gjithë prokurorët dhe stafin përcjellës, kemi finalizuar të gjitha procedurat operative dhe tanimë kemi caktuar 88 prokurorë së bashku me 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial të cilët do të bashkëpunojnë së bashku me Policinë e Kosovës në Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe njëkohësisht edhe në stacionet policore ditën e zgjedhjeve, me qëllimin e vetëm që të mbrojnë votën e lirë të qytetarit”, theksoi Pula.

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Arbnesh Ajvazi bëri te ditur se kanë ndërmarrë të gjitha masat preventive dhe operative për sigurinë në ditën e zgjedhjeve.

“Ne kemi ngritur kapacitetet e nevojshme që ky proces zgjedhor të shkojë mirë dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe mediat, që për çdo pa rregullsi ta njoftojnë Policinë e Kosovës dhe ne do të jemi në dispozicion”, theksoi Ajvazi.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Fatime Dërmaku, bëri të ditur se kanë caktuar 30 gjyqtarë që do të jenë kujdestarë më 14 shkurt, ditën e zgjedhjeve.

Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), Luan Latifi, tha se janë në monitorim të mediave 1 javë para fillimit të procesit të zgjedhjeve. Objekt monitorimi nga KPM, siç tha ai, janë lajmet dhe spotet televizive, ku deri më tani për shkelje kanë identifikuar pesë televizione dhe kanë shqiptuar gjithsej tetë gjoba për media të ndryshme.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies