Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 12 vjet burgim ish-pjesëtarin e grupeve kriminale serbe, Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë marsit të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, transmeton (AA).
Gjokiq është arrestuar në vitin 2019 dhe dënimi me burg do t’i llogaritet që nga koha e qëndrimit në paraburgim.
Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars dhe prill të vitit 1999, në Pejë, si pjesëtar i grupeve kriminale, ushtarake dhe paramilitare serbe, së bashku me të tjerë kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kishin maltretuar, plaçkitur e detyruar banorët që të dilnin nga shtëpitë e tyre, i kishin vrarë ata.
Sipas aktakuzës, Gjokiq ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndau dhe me kallashnikov i ka ekzekutuar Zeqirajn dhe Berishën, derisa Shaban Kaliqani kishte shpëtuar.
I vrarë kishte mbetur edhe Riza Mamaj, i cili në momentin e vrasjes po e bartte me karrocë një kurban. Ai ishte qëlluar me disa plumba në gjoks.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti ka folur gjatë për faktet, dëshmitë dhe provat e ofruara në këtë gjykim derisa ka thënë se mbrojtja e të akuzuarit nuk ka arritur të vërtetojë alibinë e Gjokiqit për të cilën ai akuzohet.
“Gjykata ka analizuar edhe alibinë e të akuzuarit dhe ka arritur deri te përfundimi se një alibi e tillë nuk është vërtetuar”, shtoi gjykatësi Hoti.
