Fillimi PolitikëGrenell: Presim që së shpejti të caktohet data e re e takimit në Shtëpinë e Bardhë

Grenell: Presim që së shpejti të caktohet data e re e takimit në Shtëpinë e Bardhë

nga Shekulli Agency

I Dërguari Special i Presidentit të SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se e kupton vendimin e Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti për të anuluar vizitën e tij në Washington dhe shtoi se presin që një datë e re e takimit Prishtinë-Beograd në Shtëpinë e Bardhë të caktohet së shpejti.

“Falemnderit, kryeministër Hoti. Ne e kuptojmë vendimin tuaj dhe presim që së shpejti të ricaktohet data e takimit”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Kryeministri i Kosovës Hoti anuloi udhëtimin e tij në Washington dhe pjesëmarrjen në takimin me delegacionin serb të caktuar për më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të publikimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për t’u marrë me situatën”, shkroi më herët Hoti në rrjetet sociale.

Udhëtimin në SHBA dje e anuloi edhe presidenti Thaçi, kur njoftimi për ngritjen e aktakuzës e gjeti gjatë udhëtimit për në Washington. Ai njoftoi se sot po kthehet në Kosovë. Në delegacionin e Kosovës për takimin në Shtëpinë e Bardhë do të bënin pjesë presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti.

Dje gjatë ditës, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzë ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies