Personi i armatosur u gjet i vdekur pasi qëlloi tre oficerë policie në Francën qendrore kur ata iu përgjigjen thirrjes për dhunë në familje, konfirmoi sot një zyrtar.
Incidenti ndodhi afër qytetit Saint-Just rreth mesnatës pasi policia mori një telefonatë në lidhje me një incident të dhunës në familje. Kur arritën në shtëpi, oficerët u sulmuan nga burri i armatosur i moshës 48-vjeçare.
Rreth incidentit janë duke u zhvilluar hetime, pasi personi i armatosur dhe motivi rreth sulmit mbeten ende të panjohur.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin njoftoi në Twitter se “i çmenduri ka vdekur”.
Presidenti Emmanuel Macron derisa u jepte homazhe oficerëve të rënë i shpalli ata “heronjtë tanë”.
“Ata ndërhynë për të shpëtuar një grua viktimë e dhunës në familje në Puy-de-Dome. Tre oficerë u vranë, kurse polici i katërt u plagos. Kombi bashkohet në dhimbjen e familjeve. Për të na mbrojtur, forcat tona veprojnë duke rrezikuar jetën e tyre. Ata janë heronjtë tanë”, shkroi ai në Twitter.
Brigade Arno Mavel, 21-vjeç, u plagos rëndë dhe iu nënshtrua plagëve, ndërsa oficeri tjetër u plagos në kofshë dhe u dërgua në shërbimet e urgjencës.
Dy oficerë të tjerë togeri Cyrille Morel, 45-vjeç dhe oficeri Remi Dupuis, 37-vjeç, të cilët ishin nisur në drejtim të shtëpisë u gjetën gjithashtu nën zjarr dhe u plagosën për vdekje, thuhet në njoftimin nga Ministria e Brendshme.
Darmanin, i cili tha se po udhëtonte për në vendin e sulmit, megjithatë nuk specifikoi kushtet në të cilat vdiq personi i armatosur. Ai dyshohet se dogji shtëpinë. Dyshohet për vetëvrasje pasi trupi i tij dyshohet se u gjet në makinën e tij, njoftoi kanali lokal BFMTV.
Hetimi fillestar zbuloi se personi që kishte qëlluar ishte i njohur për policinë për “mospagimin e ushqimit, lidhur me martesën e mëparshme”, thuhet më tej në raport.
Incidenti po trajtohet si rast i dhunës në familje dhe jo si sulm terrorist.
Përforcime shtesë deri në 300 ushtarë, përfshirë forcat elitare GIGN të rezervuar për operacionet antiterror u dërguan në vendin e ngjarjes për operacionin gjatë natës.
