Protestuesit në “Marshi për të vërtetën” i organizuar në rreth 140 qytete të SHBA-ve kanë kërkuar nisjen e një hetimi të pavarur nëse Rusia ishte e përfshirë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA, raporton (AA).
Protestat janë organizuar në 40 shtete të SHBA, dhe 140 qytete, ndër të cilat janë New York, San Diego, Colorado Springs, Boulder, Seattle, Los Angeles, Çikago dhe Uashington.
Protestuesit kërkuan hetime në akuzat se personat të cilët kanë udhëhequr fushatën e presidentit amerikan Donald Trump janë të lidhur me Rusinë dhe nëse ky vend është i përfshirë në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar në SHBA.
Në marshin protestues në New York dhe Uashington morën pjesë qindra njerëz ndërsa në mesin e protestuesve në Uashington ishin edhe ish zyrtarë politik, bashkëpunëtorë të ish presidentit Barack Obama si dhe personalitete të tjera të njohura.
Përveç kësaj, në Uashington u organizuan protesta për mbështetjen e Trumpit, kur është fjala për tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike.
Rreth njëqind republikanë thërrisnin slogane mbështetjeje për tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja e lartpërmendur.
Nga ana tjetër, organizatat për mbrojtjen e mjedisit bëjnë përgatitje për demonstrata kundër Trumpit i cili mori vendimin për tërheqje nga marrëveshja e Parisit mbi klimën.