Fillimi LajmeKosovë, protestë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Kosovë, protestë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

nga Shekulli Agency

Mijëra qytetarë kanë marshuar shesheve të kryeqytetit Prishtinë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pak ditë para se të merret vendimi për ta në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.

“Marshi për Liri” në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së mblodhi disa mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës që erdhën në mënyrë të organizuar në kryeqytet.

Sheshet e kryeqytetit u mbushën me emblema dhe flamuj të UÇK-së, ndërsa në një pankartë të madhe të vendosur pranë Qeverisë së Kosovës, nën profilet e katërshes Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi shkruante “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se dënimi eventual i ish-krerëve të UÇK-së do të ishte goditje ndaj të vërtetës së Kosovës dhe jo vetëm goditje ndaj katërshes që po gjykohet në Hagë. Sipas tij, nga një padrejtësi e tillë do të fitojë vetëm Serbia dhe Rusia.

“Liria e Kosovës u fitua me sakrificë, asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë dhe asnjë agjendë politike nuk mund ta kriminalizojë luftën tonë të drejtë. Ne kërkojmë drejtësi, jo historia jonë të rishkruhet”, theksoi Gucati.

Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sylejmani, tha para të pranishmëve se kur ajo sheh emblemën e UÇK-së, ajo nuk sheh thjesht tre shkronja, por babain dhe xhaxhain e saj dhe shokët e tyre të rënë në luftë.

“Kur përmendet UÇK-ja, shoh një popull që në ditët më të vështira të historisë, vendosi që më mirë të vdiste në këmbë sesa të jetonte i gjunjëzuar. Kjo ishte UÇK-ja, nuk ishte pronë e një njeriu, as e një familje e as e një treve. UÇK-ja ishte përgjigje e një populli që me shekuj luftoi për liri”, theksoi ajo.

Më 16 shtator, në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë, pritet të shpallet verdikti ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, në një proces që ka tërhequr vëmendje të madhe në Kosovë dhe rajon.

Thaçi dhe të tjerët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies