
Që nga prilli i vitit 1999, Lutfije Ademi ka jetuar me ankthin dhe shpresën që një ditë do të kuptonte për fatin e vëllait të saj, kirurgut abdominal nga Mitrovica, i zhdukur me forcë gjatë luftës, Adem Ademi, raporton Anadolu Agency.
71-vjeçarja, Lutfije Ademi tani pret verifikimin e mbetjeve mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, me shpresën që ato do t’i japin fund një pritjeje të gjatë që familja së paku të dijë se ku prehen eshtrat e familjarit të tyre.
Ajo tregon me emocion për takimin e fundit me vëllain, kur shkoi në Mitrovicë për të marrë nga ai materiale studimore për studimet e vajzës së saj që po vijonte shkollën e mesme në mjekësi.
“E kam marrë vajzën kemi shkuar në Mitrovicë, e kemi marrë materialin (studimor) dhe jemi kthyer për Prishtinë. Ajo ka qenë dita e fundit që unë jam takuar me vëllain. Lajmi (i zhdukjes) së tij ka qenë shumë i rëndë, ka qenë i pabesueshëm. Unë për vete nuk kam besuar kur më kanë thënë. Kam qenë refugjate në Tetovë, Maqedoni të Veriut, kur kam dëgjuar për lajmin e vëllait, kam thënë se kjo nuk mund të jetë e vërtetë, sepse, derisa ekziston ushtari i fundit i UÇK-së, do të jetë edhe vëllai im, sepse ai mbeti në Kosovë për ushtarët”, thotë Ademi.
Adem Ademi ishte një nga 23 intelektualët shqiptarë të Mitrovicës që u ekzekutuan gjatë luftës së fundit në Kosovë, por, Lutfije Ademi bashkë me familjen e tij nuk u dorëzuan asnjëherë në zbardhjen e fatit të doktorit të zhdukur.
Në vitet e para pas zhdukjes së Adem Ademit, kur ende jetonte nëna e tyre, Lutfije Ademi thotë se u duhej ta bindnin nënën duke i dhënë shpresë se “ndoshta Serbia e ka marrë dhe është i gjallë, sepse ai është doktor dhe i duhet njerëzve”, por me kalimin e viteve shpresa nisi të zbehej duke i lënë vend pasigurisë për të.
“Asnjëherë nuk kemi mundur të pajtohemi. Unë për vete, nuk kam mundur të pajtohem se ai nuk mund të gjendet, ose gjendet në këtë mënyrë sikurse tani nga gërmimet në Kalludër”, thekson Ademi duke nënvizuar se gjithmonë familjen e saj e mbante një shpresë për gjetjen e familjarit të tyre.
Ademi thotë se verifikimi i eshtrave të vëllait të saj do të ishte “një e mirë me dhimbje”, derisa shprehet e bindur se në mesin e 23 viktimave është edhe vëllai i saj.
“Derisa lajmi është dhënë se aty është Grupi i Intelektualëve në krye me doktor Adem Ademin, domethënë ne familjarët të gjithë jemi duke pritur rezultatin e çdo familjari që ka qenë aty në atë grup. Nëse dëshpërohemi, është shumë e madhe, është dhimbje shumë e madhe”, thotë ajo.
Lutfije Ademi thotë se ka qëndruar disa metra afër vendit ku janë kryer gërmimet, mirëpo nuk ka dashur të shoh nga afër punën e autoriteteve, për shkak të ndjeshmërisë emocionale që ka kjo çështje.
Ajo thotë të ketë dëgjuar nga zyrtarët se disa nga eshtrat janë gjetur në mesin e rrënjëve të bimëve, të cilat mund të kenë qenë të njoma në kohën kur u varrosën viktimat, por, me kalimin e viteve ato u rritën duke u futur në eshtrat e viktimave.
Adem Ademi deri në fund të jetës së tij ka qenë kirurg në qytetin e Mitrovicës. Ai për një kohë ka shërbyer edhe si doktor i ndërmarrjes Trepça, ndërsa gjatë luftës ai ka shëruar edhe ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Shalë të Bajgorës.
Kush bën pjesë në Grupin e Intelektualëve të Mitrovicës
Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës i referohet një grupi prej 23 shqiptarësh nga Kosova me profesione të ndryshme si mjekë, profesorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të ndalur dhe të zhdukur nga forcat serbe më 19 prill 1999 në zonën e Zubin Potokut, mes fshatrave Dreth dhe Kalludër.
Pikërisht në këtë zonë, në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut u gjetën muajin e kaluar mbetje kockore të 23 viktimave, që përkojnë me Grupin e Intelektualëve të Mitrovicës, një lidhje të cilën e bëri edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, megjithëse tha se duhet verifikimi zyrtar për fjalën përfundimtare.
Aktualisht procesi është në dorën e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë, i cili tani do t’i kryejë analizat gjenetike dhe do t’i njoftojë autoritetet kosovare për analizat përfundimtare dhe më pas do të njoftohen edhe familjarët e viktimave.
Nëse në mostrat kockore të individëve nuk ka problem në nxjerrjen e profileve të tyre të ADN-së, procedura deri tek përfundimi i verifikimit mund të zgjasë rreth tre muaj, mirëpo, nëse ka probleme në nxjerrjen e tyre, mund të duhet më shumë kohë.
Në luftën e fundit në Kosovë janë zhdukur rreth 6 mijë persona. Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare me punën e tyre ndër vite e zvogëluan këtë numër dhe aktualisht nuk dihet ende fati i rreth 1.500 personave.