Ministri Poposki tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit është kapital i madh për BE-në, duke marrë shembull se këto vende kanë bashkëpunuar dhe janë ballafaquar më së miri me krizën e refugjatëve
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki, para konferencës të mbajtur në Shkup dedikuar Samitit WB6 që do të mbahet më 4 korrik në Paris, deklaroi se ideja e samitit është për t’u përafruar faktit se projekti evropian nuk mund të jetë i plotë para se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE, raporton (AA).
Ministri Poposki theksoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është arritje dhe kapital i madh për Bashkimin Evropian, duke marrë shembull se këto vende kanë bashkëpunuar dhe janë ballafaquar më së miri me krizën e refugjatëve në ndihmë të BE-së, si në aspektin human, ashtu edhe në siç tha ai, ballafaqimin me rreziqet që kanë të bëjnë me radikalizmin dhe sulmet terroriste.
“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse zhvillohet në nivele më të larta politike. Ideja është për t’i afruar faktit se projekti evropian nuk mund të jetë i plotë para se të gjitha vendet e Ballkanit të integrohen në BE. Ky nuk është vetëm përfitim i Maqedonisë, por është edhe i vendeve fqinje të Maqedonisë të cilat janë kandidatë dhe kandidatë potencial për anëtarësim në BE. Ky është një kapital dhe arritje e madhe edhe për vet BE-në”, deklaroi Poposki.
Sipas Poposkit ky samit do të kontribuojë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi që ky rajon posedon mundësi të mëdha për t’u zhvilluar. Këtu ai veçoi se nxitja për praninë e kompanive evropiane në Ballkan do të zhvillojë edhe më tepër këtë rajon.
Ligjëruesi në konferencë, Antoine Grassin i cili është i angazhuar nga qeveria franceze për organizimin e Samitit WB6, tha se ky samit do të kontribuojë në afrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimin Evropian.
Konferenca me temë “Paris Ballkan 2016 – Sfidat kyçe dhe pritjet e Maqedonisë” u hap në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë nga ministri Nikolla Poposki dhe ambasadorja franceze në vend, Laurence Auer.
Ambasadori Grassin prezantoi samitin dhe temat që do të përfshihen në të, si dhe në lidhje me projektet infrastrukturore rajonale dhe masat shtesë nga sfera e transportit dhe energjetikës, temë e cila do të ketë vend të konsiderueshëm në samit.