Nga momenti i përballjes së shumëpritur ndajnë vetëm disa orë. Shqipëri-Serbi do të luajnë mbrëmjen e sotme në 20.45, në “Elbasan Arena”.
Por masat e sigurisë të marra për garantimin e saj janë mjaft të forta. Janë angazhuar rreth 2300 efektivëve të policisë, në mesin e tyre dhe agjentë civilë.
Gjithashtu për të garantuar siguri maksimale, gjatë ditës së sotme, nga ora 12:00-19:00 në kryeqytet do të bllokohet segmenti rrugor nga rruga “Dervish Hima” deri te “Rruga e Elbasanit”. Për mbarëvajtjen e aktivitetit do të ndalohet qarkullimi në tunelin e Elbasanit.
Tuneli do të qëndrojë i mbyllur deri në përfundim të aktivitetit sportiv në qytetin e Elbasanit. Pas orës 12:00, qarkullimi do të jetë i ndaluar edhe nga qafa e Kërrabës. Praktikisht, të gjitha rrugët që lidhin Tiranën me Elbasanin do të jenë të mbyllura, prandaj tifozët kryeqytetas do të duhet të shkojnë në Elbasan nga Durrësi.
Hyrja e sportdashësve do të fillojë në orën 16:30 dhe do të mbarojë në orën 20:15, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në stadium.
Për të gjithë tifozët që kanë prerë biletat për të parë ndeshjen në stadium do të lejohen vetëm këto veshje: Shalli me flamurin kuq e zi; Bluza, ose shalle të stampuara vetëm me flamurin dhe simbolet “Kuq e Zi”; Flamuri kombëtar dhe asnjë banderolë tjetër; Shalli me mbishkrimin “Plisat”.
Gjithashtu policia bën me dije se nuk do të lejohen banderola me mbishkrimin “Shqipëria Etnike”; asnjë bluzë ose shall me simbolet e Kosovës; asnjë bluzë ose shall me mbishkrimin “Harta Etnike”; asnjë bluzë ose shall me mbishkrimin “Shqipëria Autoktone”; Asnjë bluzë ose shall me mbishkrimin e ndonjë heroi të Kosovës; në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duke konfirmuar siguri dhe angazhim maksimal të policisë, deklaroi se policia kufitare ka marrë masa në çdo pikë kufitare për monitorimin e kalimit të të gjithë shtetasve, veçanërisht të atyre që kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive.
Ai bëri me dije se agjentët civilë do të jenë në të gjitha ambientet ku do të ketë grupime njerëzish dhe tifozësh, në akset rrugore, por edhe brenda stadiumit.