Fillimi SportBasketbollisti italian në Fenerbahçe: Jam krenar me Turqinë

Basketbollisti italian në Fenerbahçe: Jam krenar me Turqinë

nga Shekulli Agency

Basketbollisti italian që luan në klubin turk Fenerbahçe Beko, Luigi Datome, tha se ndihet krenar me Turqinë pasi ky vend ndihmoi vendlindjen e tij, Italinë, në luftën kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton AA.

Datome, i cili ka arritur suksese historike me skuadrën verdhë-blu, periudhën e krizës së pandemisë po e kalon në Itali, prej ku zhvilloi një bisedë me AA në lidhje me situatën dhe ndihmën e Turqisë.

“Jam shumë mirënjohës ndaj Turqisë dhe jam shumë krenar me Turqinë”, tha Datome.

“Turqia është një nga vendet e para që e ndihmuan Italinë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Tani është koha që bota të bashkohet dhe të ndihmojë njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse gjërat e tilla duhet të përfshihen më shumë në media”, shtoi ai.

Basketbollisti 32-vjeçar theksoi se në kuadër të zbutjes së masave, sportistëve profesionistë si ai u janë lejuar stërvitjet nëpër salla sportive.

“Gjendem në Golfo Aranci, në ishullin e Sardenjës. Familja ime ka objekte këtu. Unë kam një apartament privat. Kjo është një qytezë me 2.000 njerëz. Lexoj libra, bëj stërvitje dhe kaloj një ditë rutinë”, tha Datome, duke treguar mbi përjetimet e tij gjatë pandemisë.

Ai vlerëson se “pauzimi” i ka bërë mirë në aspektin mendor, pasi, siç thekson, kanë jetuar me një tempo shumë të shpejtë si sportistë aktivë.

Në fund të bisedës, ai iu drejtua tifozëve në Turqi me një mesazh në gjuhën turke.

“Më mungoni shumë, por secili është në dijeni se gjendemi në një situatë të hidhur. Andaj, duhet të qëndrojmë në shtëpi. Shpresoj që një ditë çdo gjë të bëhet mirë”, tha Datome.

Ndryshe, Turqia ka dërguar furnizime mjekësore në dhjetëra vende në mbështetje të luftës kundër COVID-19, përfshirë Italinë, Spanjën, SHBA-në, Somalinë, Libinë, si dhe vendet e rajonit, siç janë Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies