Të Shtunën dhe të Dielën. Java e 3-t e kategorisë Superiore do të luhet e gjitha në fundjavë. Federata shqiptare e futbollit ka përcaktuar kalendarin e ruandit pasardhës i cili do të startojë të Shtunën në orën 14 me një sfidë mjaft interesante.
Luftëtari-Korabi është takimi që do të hapë javën e 3-t. Si gjirokastritët ashtu edhe dibranët do të kërkojnë fitoren e parë në këtë kampionat kur të përballen me njëra-tjetrën fundjavën e ardhshme. Dy skuadrat debutuese në këtë sezon nuk e kanë nisur në mënyrën më të mirë kampionatin, me Korabin që numëron 1 pikë të grumbulluar pas 2 ndeshjeve të para, ndërsa Luftëtari asnjë.
Një tjetër takim i ditës së Shtunë do të jetë ai mes Skënderbeut dhe Lacit që do të luhet në Korcë në orën 17. Përballë një Laci që është ende një ekip në ndërtim e sipër, skuadra e Andrea Agostinellit nuk pritet të hasë vështirësi për të regjistruar fitoren e 3-t rradhazi në kampionat.
Të Shtunën në orën 17 do të luhet edhe sfida më e fortë e kësaj jave. Në Selman Stërmasi, Tirana do të luajë ndeshjen e parë në këtë kampionat përpara publikut bardheblu dhe përballë 24-herë kampionët do të kenë Kukësin. Një duel shumë i fortë ky mes dy skuadrave që kanë objektiva të rëndëisshëm në këtë sezon. Java e 3-t e kategorisë Superiore do të mbyllet të Dielën me dy ndeshje të tjera.
Në orën 13, në Loro Borici do të jetë momenti i Vllaznisë dhe Flamurtarit. Takimet mes kuqebluve dhe vlonjatëve kanë prodhuar gjithmonë emocione dhe as kjo ndeshje nuk pritet të bëjë përjashtim.
Ndeshja e fundit e këtij ruandi do të zhvillohet në Niko Dovana, mes Teutës dhe Partizanit. Për të Kuqtë, misioni për të marrë tre pikët në këtë ndeshje do të jetë shumë i vështirë. Teuta sidomos në Niko Dovana di ti hapë problemi cdo kundërshtari. Të gjitha ndeshjet e javës së 3-t të kategorisë Superiore, ashtu si zakonisht do të transmetohen live në kanalet e Supersport.