
Ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Bisera Turkoviç, sot në Sarajevë deklaroi se nuk ka çështje të hapura midis Shqipërisë dhe BeH-së.
Pas takimit me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, Turkoviç mbajti një konferencë për shtyp në të cilën tha se vizitat gjatë pandemisë kanë vlerë më shumë, dhe shtoi se nuk ka çështje të hapura midis Shqipërisë dhe BeH-së.
Ajo tha se gjatë takimit u diskutuan tema të ndryshme, duke filluar me kryesimin dhe rolin kryesues të Shqipërisë në OSBE.
“Biseduam për samitin e ardhshëm, për atë se çka është bërë deri më tani dhe çka synohet të bëhet. Po ashtu biseduam për bashkëpunimin rajonal, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe se cilën rrugë të shkohet. Nënvizuam atë që u tregua të ishte shumë e suksesshme brenda Procesit të Berlinit, për roamingun, nevojën e hapjes së qarkullimit për mallra dhe njerëz pa kufizime në rajonin tonë, e gjithë kjo së bashku do të kontribuonte në këto periudha të vështira në përmirësimin e ekonomive tona, bashkëpunimin tonë, një treg më të madh. Sigurisht që do të ishte më tërheqës sesa tregjet e vogla me shumë kufizime”, tha Turkoviç.
Ajo theksoi se ka shumë arsye që këto dy vende të jenë më afër dhe të bisedojnë për mundësitë më të mira, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të këtyre dy vendeve një jetë më e lehtë, më e mirë dhe më e suksesshme.
“Me qëllimin final që jeta e njerëzve edhe në BeH edhe në Shqipëri të jetë më e mirë, standardi i jetës të jetë më i lartë, që bashkëpunimi të jetë sa më i pranishëm ne zhvilluam këto bisedime të sotme bilaterale, kaluam përmes marrëveshjeve që janë nënshkruar, u dakordua për atë që çka eventualisht duhet të vihet në rend dite”, theksoi Turkoviç.