Marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Bashkimit Evropian dhe Polonisë, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese Polake se “ligjet në vend janë superiore ndaj disa ligjeve të BE-së” u tensionuan edhe më tej duke ngjallur pikëpyetje “nëse vallë edhe Polonia pas Britanisë dëshiron të largohet nga Unioni?”.
Përderisa praktikat e Polonisë në çështje të tilla si sundimi i ligjit, liria e shtypit dhe pavarësia e gjyqësorit janë kritikuar brenda BE-së gjatë viteve të fundit, Gjykata Kushtetuese e Polonisë më 7 tetor vendosi që disa nene në marrëveshjet e BE-së janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit ndërsa kjo shkaktoi debate në arenën ndërkombëtare për largimin e Polonisë nga BE-ja, që nënkupton Polexit.
Të njëjtën ditë, duke reaguar ndaj vendimit, Didier Reynders, anëtari i Komisionit Evropian për Drejtësi tha se është “i shqetësuar” nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, vendimin që ai e quajti kundër sundimit të ligjit të BE-së. Ai shtoi se BE-ja do të “përdorë të gjitha mjetet” për të mbështetur sundimin e ligjit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në deklaratën e saj më 8 tetor, reagoi ndaj vendimit duke thënë se “Ligjet e BE-së, vijnë para ligjeve kombëtare përfshirë dispozitave kushtetuese”.
Clement Beaune, ministri i shtetit i Francës për BE-në tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Polonisë mban rrezikun që Polonia të largohet nga BE-ja.
– Hungaria mbështet Poloninë
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, duke nënshkruar dekretin e qeverisë që mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, vuri në dukje se autoritetet kompetente të shteteve anëtare, në veçanti gjykatat kushtetuese, kanë të drejtë të shqyrtojnë fushëveprimin dhe kufijtë e kompetencave të BE-së.
Ndaj këtij vendimi përveç BE-së kanë reaguar partitë opozitare në Poloni.
Ish-kreu i Komisionit Evropian dhe kryetari i Partisë në opozitë Platforma Civile, Donald Tusk, duke kritikuar vendimet e Partisë së Ligjit dhe Drejtësisë e Polonisë (PIS) tha se hapat e tyre e rrezikojnë të ardhmen e vendit në Evropë.
– “Kjo është një ngjarje politike që synohet të portretizohet si ngjarje ligjore”
Eksperti i Evropës Qendrore, gazetari Gabor Stier, vlerësoi për Anadolu Agency (AA) mosmarrëveshjen mes Polonisë dhe BE-së.
Sipas Stier, mes Polonisë dhe BE-së për një kohë të gjatë vazhdojnë debate rreth reformës gjyqësore, duke rikujtuar se BE-ja është e mendimit se Polonia me hapat e hedhur duke shkelur pavarësinë e gjyqësorit ka dëmtuar parimin e sundimit të ligjit.
Ai tha se edhe në Gjermani, France, Danimarkë, Itali, Çeki, Spanjë dhe Rumani janë marrë vendime të ngjashme, edhe pse jo në aspektin politik. “Kjo është një ngjarje politike që synohet të portretizohet si ngjarje ligjore”, u shpreh Stier.
“Ky është një debat politik. Mund të themi se nuk bëhet fjalë për largimin e Polonisë nga sistemi ligjor i BE-së. Gjithashtu as për Polexit nuk mund të bëhet fjalë, të paktën tani për tani. Por, palët kanë hyrë në zona të rrezikshme, sepse gjithë këto debate e dobësojnë BE-në. Në rast se palët nuk arrijnë pajtim mund të ketë rezultate serioze kjo çështje”, tha ai duke shtuar se 90 për qind e popullsisë së Polonisë nuk do të dëshironte të largohet nga BE-ja.
