Fillimi PolitikëPartitë politike parlamentare të Kosovës me shumë borxhe e pak donacione në vitin 2019

Partitë politike parlamentare të Kosovës me shumë borxhe e pak donacione në vitin 2019

nga Shekulli Agency

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur konferencë për media, ku është shpalosur hulumtimi “Kuletat e subjekteve politike parlamentare: Si qëndrojnë financiarisht ato?”.

Hulumtimi ka paraqitur një analizë të raporteve vjetore financiare të subjekteve politike parlamentare në Kosovë për vitin 2019, të cilat janë publikuar në version të paaudituar në fund të tetorit të këtij viti.

Eugen Cakolli nga KDI, i cili shpalosi të gjeturat kryesore të hulumtimit, tha se partitë politike parlamentare marrin çdo vit mbi 4 milionë euro të buxhetit të shtetit përmes Fondit për Përkrahjen e Aktiviteteve të Partive Politike dhe në kuadër të kësaj shume ndahen 90 për qind për partitë politike dhe 10 për qind për grupet parlamentare të këtyre partive.

“Megjithatë që nga viti 2013 kur është plotësuar dhe ndryshuar ligji për herë të fundit Ligji për Financimin e Partive Politike, asnjëherë nuk ka pasur raportim në kohë të subjekteve politike lidhur me raportet e tyre vjetore financiare edhe në rastet kur të njëjtat janë dorëzuar brenda afateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, theksoi Cakolli.

Raporti nënvizon që subjektet politike parlamentare zotërojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë të përgjithshme prej mbi 420 mijë euro. Në kuadër këtyre kategorive Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më i pasur me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me mbi 130 mijë euro pasuri të deklaruara.

Por, Cakolli tha se, sa i përket të hyrave të përgjithshme, partia opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), del më e pasura.

“Partitë politike parlamentare kanë deklaruar gjithsej 4.655.000 euro të hyra, ndërsa kanë shpenzuar 5.400.000 euro apo rreth 800.000 euro më shumë se sa kanë pasur të hyra. Subjekti politik me më së shumti të hyra është PDK me mbi 1,2 milionë euro të hyra dhe pas saj radhitet Lëvizja Vetëvendosje me 1,1 milionë euro; Lidhja Demokratike e Kosovës me 910.000 euro; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 320.000 euro; Lista Serbe me 300.000 euro; ndërsa Nisma, AKR dhe partitë e komuniteteve kanë më pak se 300.000 euro të hyra”, theksoi Cakolli.

Sipas Cakollit subjektet politike parlamentare nuk qëndrojnë mirë me borxhet, me mbi 2 milionë euro detyrime të deklaruara, ku vetëm PDK dhe LDK kanë deklaruar mbi 1,1 milionë euro detyrime apo gati 2/3 e detyrimeve të përgjithshme të të gjitha subjekteve politike parlamentare.

Raporti vë në pah se pjesën më të madhe të shpenzimeve të vitit 2019 partitë politike i kanë deklaruar për fushatë dhe paga, përkatësisht 2,1 milion euro në fushatë dhe 1,3 milion euro në paga dhe kompensime.

Në anën tjetër, edhe pse donacionet shihen si një nga burimet kryesore të financimit, sidomos gjatë viteve zgjedhore, subjektet kanë deklaruar vetëm 214.000 euro donacione, që përbën vetëm 4,6 për qind të të hyrave të përgjithshme të tyre.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies