
Mosmiratimi i formimit të një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e çështjes së menaxhimit të krizës energjetike, ka bërë që opozita ta lëshojë seancën e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite kanë qenë miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe debati lidhur me sigurinë në Kosovë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë lëshuar seancën, duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.
Seanca filloi me insistimin e opozitës karshi mazhorancës që të futet në rend dite votimi për formimin e komisionit hetimor për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të futet në rend dite kjo pikë dhe pastaj të vazhdohet me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke thënë se me ngritjen e këtij komisioni, po kërkojnë hetimin e punësimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
“Republika e Shqipërisë i ka për një vit më shumë se 20 komisione, e ne orvatemi për dy muaj për ta themeluar një komision. Nuk besoj që ka deputet në këtë vend që është kundër hedhjes dritë ndaj të gjitha zhvillimeve që kanë ndodhur në kohën e krizës energjetike”, tha ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes (VV), Mimoza Kusari-Lila, tha se VV-së i intereson se çfarë përbërje mund të ketë ky komision, teksa theksoi se opozita i ka hyrë kësaj pune me paragjykime.
“Unë e kuptoj zellin e opozitës për ta çuar përpara një çështje, sikur të mos ishin futur në debat e konkluza paraprake. Ne ishim në situatën që na u desh ad-hoc të vendosim që të mos mbështesim këtë pikë si pasojë e këtyre paragjykimeve”, deklaroi ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi në emër të partisë kërkoi që kjo pikë të hyjë në rend dite, megjithëse LDK nuk e inicion themelimin e komisionit në fjalë dhe ka deputetë nga kjo parti që janë kundër themelimit të tij.
Ai paralajmëroi se nëse kjo pikë nuk hyn në rend dite, atëherë si grup parlamentar nuk do të marrin pjesë asnjëherë në votim.
“Nuk ka kuptim parlamentarizmi në Kuvend nëse mohohet një e drejtë kushtetuese. Nëse nuk formohet ky komision, nuk ka kuptim që grupi parlamentar i LDK-së të marrë pjesë në Kuvend. Nuk ka kuptim as të votohen marrëveshjet ndërkombëtare kur ju ia mohoni opozitës formimin e komisionit hetimor parlamentar”, tha ai.
Edhe nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, shtroi kërkesë të njëjtë, por me t’u hedhur në votim një nismë e tillë, nuk mori votat e nevojshme si shkak i mospërkrahjes nga mazhoranca derisa deputetët e të tri partive opozitare lëshuan sallën, duke pamundësuar votimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë atë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare të Kosovës me Shqipërinë.
Korporata Energjetike e Kosovës, e cila është ndërmarrja kryesore energjetike shtetërore e Kosovës, më herët kishte shpallur konkurs për 150 vende të lira të punës, në të cilin kishin aplikuar mbi 4 mijë kandidatë.
Ndërkaq, më 5 prill, nëpërmjet një komunikate për media, KEK njoftoi se janë përzgjedhur kandidatët për 128 pozita, ndërsa 17 pozita nuk janë plotësuar.
Me këtë rast, mediat në Kosovë thanë se konkursi është keqpërdorur nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke punësuar familjarë dhe anëtarë të partisë.
Pas kësaj, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila pranoi po ashtu një kallëzim penal nga LDK-ja më 5 prill, konfirmoi se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet e reja në këtë korporatë.
Prokuroria theksoi se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të pretendimeve për punësime të padrejta konform dispozitave ligjore në fuqi.