Fillimi PolitikëKërcënimet ndaj NATO-s nuk burojnë nga Rusia, por nga problemet e Perëndimit !

Kërcënimet ndaj NATO-s nuk burojnë nga Rusia, por nga problemet e Perëndimit !

nga Shekulli Agency

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se kërcënimet kundër NATO-s nuk burojnë nga Rusia por nga problemet e pazgjidhura të botës perëndimore të tilla si “racizmi”, nacionalizmi” dhe “diskriminimi”.

Në një konferencë javore për media në kryeqytetin e Moskës, Zakharova foli për veprimet e NATO-s dhe deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s lidhur me Rusinë.

Pasi tërhoqi vëmendjen se NATO po bën përpjekje për të forcuar praninë e saj në Detin e Zi, Zakharova vuri në dukje se do të japin përgjigjen e nevojshme ndaj kësaj.

Ajo tha se Rusia për NATO-n nuk është kërcënim. “NATO po kërkon kërcënim në vendin e gabuar. Kërcënimet nuk krijohen nga Lindja, Moska ose Rusia. Kërcënimet e reja janë pandemia, paqëndrueshmëria ekonomike, të drejtat e njeriut dhe politizimi i tyre, problemet e pazgjidhura të botës perëndimore si racizmi, nacionalizmi dhe diskriminimi”, tha Zakharova.

“Deklarata e Borrellit një marrëzi e madhe”

Duke reaguar ndaj deklaratës se “Rusia është një fqinj i rrezikshëm” e dhënë nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, zëdhënësja Zakharova përdori shprehjen “Kjo është një marrëzi e madhe”.

Zakharova nënvizoi se këto lloj deklaratash janë të papranueshme dhe i bëri thirrje BE-së që të heq dorë nga qëndrimi akuzues ndaj Rusisë.

Ajo ka kritikuar edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se “Rusia nuk dëshiron të formojë dialog”. Në lidhje me këtë Zakharova tha se “Këto deklarata nuk janë të drejta, janë gënjeshtra”.

Duke mbrojtur idenë e saj se Rusia është pro-formimit të dialogut me NATO-n, Zakharova tha: “Kishim propozuar për zhvillimin e bisedimeve me pjesëmarrjen e ekspertëve të ndryshëm, përfshirë ekspertët ushtarakë. Qëndrimin konfliktues të NATO-s do ta marrim në konsideratë në politikën tonë të jashtme dhe në fushën e planifikimit ushtarak”.

Deklaratat e zyrtarëve të NATO-s dhe BE-së lidhur me Rusinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një deklaratë për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s që u mbajt më 24 mars tha se marrëdhëniet me Rusinë janë të vështira. “Pavarësisht iniciativave për të krijuar kontakte dhe presionit që vazhdon prej vitesh për një dialog të kuptimtë, Rusia ka rritur sjelljet e saj agresive si nga brenda, ashtu edhe jashtë”, tha Stoltenberg.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell tha se dëshirojnë të mbajnë të hapur kanalet e komunikimit me Rusinë. “Rusia është një fqinj i rrezikshëm, por ne duhet të ndajmë me ata çështje të tilla si marrëveshja bërthamore e Iranit dhe ndryshimi klimatik të cilat janë në interesin tonë të përbashkët. Përtej kësaj duhet ta frenojmë dhe ta shtyjmë prapa Rusinë kur ajo shkel ligjin ndërkombëtar”, tha Borrell.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies