Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Legjislaturës së Vlll-të të Kuvendit të Kosovës, raporton (AA).
Në seancën konstituive të kësaj legjislature, të cilën e udhëhoqi deputeti më i vjetër në moshë dhe deputetja më e re kanë marrë pjesë 113 deputetë ndërsa Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit me 69 vota “pro”, 33 “kundër” dhe asnjë abstenim.
Në fjalën e parë të tij si kryetar i ri i Kuvendit, Konjufca u zotua se do ta kryejë detyrën me nder, përgjegjësi dhe përkushtim, teksa tha se për të nuk do të ketë deputet të kësaj apo asaj partie, por deputetë të Republikës së Kosovës.
“Unë zotohem që do ta kryejë detyrën time me nder, me përgjegjësi dhe me përkushtim. Për mua nuk do të ketë deputetë të kësaj apo asaj partie. Për mua si kryetar i Kuvendit do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit të Kosovës sepse kështu jeni. Por, mbi të gjitha, të gjithë së bashku dhe në emër tuajin, po i falënderojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, meqë pa votuar ata as ne nuk do të mund të vinim këtu e bile as nuk mund të votonim sot”, tha Konjufca i cili shtoi se për seancën e formimit të Qeverisë së re opinioni publik do të informohet me kohë.
Pas emërimit të Konjufcës si kryetar i Kuvendit, tri grupet më të mëdha parlamentare propozuan kandidatët për nënkryetar të Kuvendit, ku deputetja Saranda Bogujevci u zgjodh nënkryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb u zgjodh Sllavko Simiç ndërsa nga përfaqësuesit e minoriteteve joserbe nënkryetar u zgjodh Bekim Arifi nga komuniteti i ashkalive, por kjo pozitë do të jetë me rotacion midis përfaqësuesve të minoriteteve joserbe.
Në seancën konstituive pati 3 pika të rendit të ditës: Formimi i komisionit për verifikimin e mandateve; Dhënia e betimit të deputetëve dhe Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosje në këtë mandat ka siguruar 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë, Lista Serbe ka siguruar 10 vendet e rezervuara për minoritetin serb.
Nga minoritetet tjera joserbe Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka siguruar 2 deputetë dhe nga 1 deputetë kanë siguruar Koalicioni Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Iniciativa Rome, Partia Demokratike e Re, Partia Socialdemokrate, Partia Unike Gorane, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Kush është Glauk Konjufca
Glauk Konjufca ka lindur në korrik të vitit 1981 në Prishtinë. Ka përfunduar studimet e Filozofisë në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës. Ai është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje që në fillimet e saj. Në vitin 2010 u zgjedh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e IV-të të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 2011-2014 ishte nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në vitin 2014 u zgjedh deputet dhe u emërua si shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në të njëjtin vit ai u emërua si nënkryetar i Kuvendit deri më 12 mars 2015. Në legjislaturën e VI-të ai u zgjedh kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ishte anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Komisionit për Punë të Jashtme.
Në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, Konjufca u zgjedh deputet dhe më 26 dhjetor të po atij viti ai u propozua dhe u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës deri më 3 shkurt 2020. Me formimin e Qeverisë Kurti, Glauk Konjufca emërohet si ministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deri në qershor të vitit 2020.
