
ESRA TAŞKIN
Avokati francez Gilles Devers, i cili mbron viktimat palestineze në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), në një intervistë për Anadolu, shpjegoi pse janë gjenocid ndodhitë në Gaza.
Juristi francez bashkoi një “ushtri të avokatëve” prej 500 personash nga mbarë bota për të mbrojtur viktimat palestineze kundër krimeve të luftës dhe gjenocidit që Izraeli kryen në Gaza. Ai me vite punon në këtë fushë.
Devers, i cili ligjëron dhe kryen studime akademike në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Lionit, që 10 vite është kryeredaktori i revistës “Ligji, Etika dhe Kujdesi”. Devers ka qenë aktiv në fushën e shëndetësisë dhe çështjeve sociale për 30 vjet dhe mbron minoritetet dhe viktimat në vende të ndryshme, përfshirë Francën dhe Palestinën.
Në deklaratën për Anadolu, ai vlerësoi kërkesën e tyre me firmat e qindra avokatëve ndaj GJNP-së që të përfshijë sulmet izraelite në Gaza në kuadër të hetimeve në vazhdim mbi Palestinën si dhe fotografitë e Anadolu-s që dëshmojnë se ushtria izraelite përdori fosfor të bardhë në Gaza.
Ai shpjegoi se çështjet krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocidi në GJNP trajtohen në tema të veçanta, duke theksuar se në peticionin që kanë dorëzuar rreth gjenocidit që Izraeli kryen në Gaza gjenden rreth 80 fusnota ligjore.
Devert thotë se një ngjarje do të konsiderohet gjenocid nëse rrezikohet ekzistenca e një shoqërie dhe i ndërpritet qasja në nevojat më elementare. “Jurisprudenca thotë kështu: Krimi i gjenocidit kryhet kur; uji dhe energjia elektrike ndërpritet, ushqimi kufizohet duke shkaktuar uri, nuk ka qasje në kujdesin shëndetësor, sulmohen spitalet, bombardohen shtëpitë e civilëve dhe (njerëzit) detyrohen të migrojnë”, shpjegon ai.
Më tej tërhoqi vëmendjen se sulmet ushtarake që palestinezët janë duke përjetuar kanë tejkaluar edhe gjendjen që muslimanët e Arakanit kanë përjetuar, duke shtuar se zyrtarët izraelitë kanë edhe deklarata nënçmuese ndaj popullit palestinez.
Sipas tij, gjendja në Gaza është edhe më e rëndë se ajo që ndodhi në vitin 1995 në Srebrenicë. “Kujtojmë se në ngjarjen që u pranua si gjenocid në Srebrenicë u vranë 8.600 persona, prandaj, kjo gjendje (në Gaza) është më e rëndë”, u shpreh ai.
Devers nuk është dakord me ata që mbrojnë se prokurori i GJNP-së nuk mund të kryejë hetim në terren në Palestinë dhe se kjo çështje është e komplikuar. “Ministri (izraelit) tha ‘ta ndërpremë energjinë elektrike’, ditën e nesërme u ndërpre energjia. Ministri tha ‘ta ndalojmë dërgesën e naftës’, të nesërmen nuk kishte naftë. Lidhur me ujin, tha ‘nuk do të japim ujë, nuk u jepet ujë. Sulmohen spitalet, kështu vazhdon”, tregoi Devers.
Avokati francez tha se posedojnë shumë dëshmi për shkak të dokumenteve të ofruara nga media, dëshmitë që u vijnë atyre nga rajoni si dhe për shkak se autori i ngjarjeve në Gaza nuk e fsheh veten. “Niveli i dëshmive është tejet i lartë, prandaj kërkojmë urdhër arresti kundër (kryeministri izraelit Benjamin) Netanyahu”, tha ai.
Devers kritikon standardin e dyfishtë që bëhet në çështjen palestineze, ndërsa kërkoi nga prokurori i GJNP-së që të jetë shumë vigjilent. Ai thekson se kur bëhet fjalë për Palestinën, vendet perëndimore kanë qëndrim të ndryshëm nga ai ndaj Rusisë. Duke rikujtuar se në sulmet izraelite ndaj Gazës që nga 7 tetori e deri më tani janë vrarë rreth 12 mijë palestinezë, Devers deklaroi se do të vazhdojnë luftën e tyre që të hapet hetim në GJNP për atë që ndodh në Gaza.
Avokati francez tregoi se janë duke punuar me ekspertë që janë të ngarkuar me verifikimin e pamjeve të dhunës që i kanë gjetur në rrjetet sociale për dosjen palestineze, duke potencuar: “Kemi arritur deri te pamje shokuese që ushtarët izraelitë shfaqin për t’u hakmarrë dhe që mund të konsiderohen si tejet çnjerëzore”, tha ai.
Devers tërhoqi vëmendjen se mes këtyre pamjeve gjenden edhe pamje ku ushtarët izraelitë rrahin të burgosurit palestinezë derisa i hipin në autobus të zhveshur si dhe tallen me ta.
– Devers për fotografitë e Anadolu-s: “Këto janë dokumente të shkëlqyera”
Duke vlerësuar fotografitë e Anadolu-s që dëshmojnë se ushtria e Izraelit në sulmet e saj në Gaza kryen krime lufte duke përdorur fosfor të bardhë, Devers tha: “Këto janë dokumente të shkëlqyera”. Ai në intervistë, duke treguar tymin e bardhë në një fotografi të Anadolu-s, tha se “Teknikisht, ne tashmë e dimë se ky tym i bardhë është gjurmë fosfori. Kjo me të vërtetë është një gjende karakteristike. Këtë e tregojnë edhe fotografitë e tjera tuaja”.
Juristi shpjegon se fosfori i bardhë prish lidhjet e GPS-së dhe pajisjet për vendndodhjen, ndërsa vë në dukje se, ashtu siç shihet edhe në fotografitë e Anadolu-s, bombat e fosforit që bien në Gaza janë shkrepur nga Izraeli. Ai nënvizon se fosfori i bardhë shkakton djegie të thella në trupin e njeriut, duke rikujtuar se fosfori i bardhë në këtë kontekst është në kuadër të armëve përdorimi i të cilit është i ndaluar.
– “Kjo është fotografia e një krimi të luftës”
Devers tregoi edhe një fotografi të Anadolu-s ku shfaqen bombat e fosforit para një tanku izraelit. “Kjo është fotografia e një krimi të luftës dhe këta janë kriminelë. Një, dy, tre, katër (ushtarë izraelitë) kriminelë lufte. Sepse kanë armë të fosforit të bardhë, të cilin mund ta identifikojmë”, tha ai.
Duke treguar se konventa ndërkombëtare për përdorimin e armëve kimike ndalon vetëm përdorimin e armëve kimike nga ajri, avokati francez thotë se për këtë shkak Izraeli po përpiqet të justifikojë veten duke krijuar përshtypjen se po përdor armë kimike përmes tankeve.
Devers theksoi se këto armë janë të paligjshme dhe përdoren kundër civilëve palestinezë, duke shpjeguar se këto armë shkaktojnë dëme serioze, përfshirë djegiet e lëkurës, veçanërisht te fëmijët dhe se metoda e Izraelit është jashtëzakonisht sadiste dhe e dhunshme. Ai tha se do të ishte i kënaqur të shtonte fotografitë e Anadolu-s që vërtetojnë krimet e luftës të Izraelit në Gaza në ankesën e tyre që do t’i paraqesin GJNP-së.
Sipas tij, Izraeli këto armë i përdor që t’i largojë palestinezët nga rajoni. “Kjo duhet të shihet mirë. Këto armë (kimike) përdoren për t’i djegur njerëzit për së gjalli dhe për t’u shkaktuar atyre dëme serioze. Ky është i vetmi qëllim. Këto plagë mund të sjellin vdekjen. Prandaj, përdorimi i këtyre armëve duhet të lejohet vetëm jashtë zonave të banuara me qëllim të mbrojtjes së trupave ose përgatitjes të një lloji manovre”, u shpreh Devers.
Ai rikujtoi se organizatat Amnesty International ose Human Rights Watch kanë një vendim hezitues rreth përdorimit të armëve kimike nga Izraeli në Gaza, duke theksuar se është e padiskutueshme që Izraeli aktualisht po kryen krime lufte në Gaza dhe se këto armë përdoren për të djegur dhe për të gjymtuar popullatën civile.
Devers tha se përdorimi i këtyre armëve nga Izraeli nuk mund të konsiderohet incident i izoluar, pasi qëllimi është dëbimi i palestinezëve nga rajoni, pas thirrjeve të vazhdueshme për largimin e tyre nga Gaza dhe shënjestrimi i të gjithëve, përfshirë edhe foshnjat.
Juristi francez, duke rikujtuar deklaratën e një ministri izraelit të Drejtësisë në vitin 2014 ku shprehet se “Izraeli në bombardimet duhet të shënjestrojë gratë shtatzëna, sepse popullsia në rritje e palestinezëve është një problem”, tërhoqi vëmendjen se duke shikuar nga kjo logjikë mund të shihet qartë se çfarë synon saktësisht Izraeli.
– “SHBA-ja dhe Izraeli bënë çmos që Palestina të mos bëhet palë e GJNP-së”
Devers potencoi se kuptohet që GJNP-ja nuk është organ “ideal” gjyqësor, por për popullin palestinez të drejtat e të cilëve shkelen është e vetmja derë për një organ ndërkombëtar gjyqësor.
Ai rikujton se Palestina në vitin 2015 ka nënshkruar statutin e themelimit të GJNP-së, por gjykata ka vonuar për 2 muaj procesin e të qenurit palë për arsye të “presionit” të shteteve evropiane që nuk e njohin Palestinën, si dhe SHBA-ja dhe Izraeli që kanë bërë çmos që palestinezët të mos përfaqësohen.
Përkundër kësaj, Devers theksoi rëndësinë që Palestina të bëhet palë e GJNP-së. “GJNP, është i vetmi organ ndërkombëtar gjyqësor që thotë se ‘Palestina është shtet’. Ka vetëm një nga kjo. Ky është i vetmi vend në botë ku një palestinez konsiderohet i barabartë me të tjerët”, theksoi Devers.
Lidhur me sulmet e Izraelit në Gaza, Devers tha: “Këtu kaluam në diçka tjetër. Ky nuk është më vetëm një krim lufte, ne kemi kaluar në diçka tjetër. Kjo është diçka tjetër, dëshira për të shkatërruar popullin palestinez duke thënë ‘nuk do të jesh kurrë në shtëpi'”.
“Ky nuk është mendimi apo teoria ime, e kam fjalën për jurisprudencë”, tha avokati francez. Devers vuri në dukje se shumica e të vrarëve në Gaza janë civilë, përpjekjet për të portretizuar palestinezët si “jo-njerëzor”, diskurset për shkatërrim dhe analogjia e Nakba-s së re, janë elementë materialë që tregojnë se Izraeli kreu krimin e gjenocidit.
“Ishte Gambia ajo që ngriti padi për gjenocid ndaj arakanasve, ndërsa filluam të veprojmë duke thënë se ‘ne jemi këtu’ për palestinezët”, tha Devers duke shtuar: “Sepse kemi përgjegjësi për të parandaluar një gjenocid”.
– “Jemi ushtri e avokatëve që ka komandant dhe synim”
Devers vuri në dukje se kanë krijuar një ushtri me avokatët që panë se populli palestinez ishte “i pambrojtur”, ndërsa theksoi se “tani ushtria e avokatëve që ka komandant dhe synim” do ta mbrojë popullin palestinez.
“Puna jonë nuk është politika dhe feja, puna jonë është të mbrojmë të drejtën”, tha Devers duke shtuar se qindra avokatë i janë bashkuar kësaj “ushtrie” brenda një dite. Ai tha se sindikata dhe avokatë nga 4 kontinente të botës u janë bashkuar tyre, duke thënë: “Po ky është një gjenocid dhe çfarë mund të bëjmë për t’ju ndihmuar?”, në mesin e të cilëve ka një numër të madh pjesëmarësish nga Türkiye.
Devers tha se avokatë nga mbi 20 shtete përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Marokun, Tunizinë, Mauritaninë, Brazilin, Kanadanë, Kilin, Guatemalën, Meksikën, Katarin, Jordaninë, Bahreinin, Egjiptin, Japoninë dhe Pakistanin, u janë bashkuar radhëve të tyre.
Ai tha se me këtë ankesë si ekspertë ligjorë i thanë Izraelit: “Ne e dimë që ky është një gjenocid dhe po ua themi. Ju thoni të kundërtën. Ne do të përballemi më pas. Ndoshta ju e keni fuqinë, por ne po themi të vërtetën”, ndërsa shtetet që e mbështesin këtë gjenocid të Izraelit i paralajmëroi duke thënë: “Do të paguajnë çmim të rëndë për shitjen e të gjithë teorive të tyre për të drejtat e njeriut për një kasap (kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu), i cili e mbështet teorinë e tij vetëm në shpifjet dhe mohimin e popullit palestinez”.