Gjatë ditës së djeshme nga qendra për pritje të refugjatëve që ndodhet në afërsi të qytetit të Gjevgjelisë, në drejtim të vendkalimit kufitar në veri të vendit kanë udhëtuar katër trena me nga 600 refugjatë.
Në kufirin jugor të Republikës së Maqedonisë mbrëmë vonë arritën një grup prej rreth 200 refugjatësh nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore. Ata sapo arritën në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, policia maqedonase realizoi procedurën e kontrollit dhe u lëshoi vërtetime hyrje në territorin e Maqedonisë, si dhe më pas u drejtuan në qendrën për pritje në afërsi të kufirit, ku dhe morën trenin për në kufirin verior me Serbinë.
Gjatë ditës së djeshme nga qendra për pritje të refugjatëve që ndodhet në afërsi të qytetit të Gjevgjelisë, në drejtim të vendkalimit kufitar në veri të vendit kanë udhëtuar katër trena me nga 600 refugjatë, prej të cilëve dy trena u nisën orët e mbrëmjes së djeshme.
Refugjatët nga vendkalimi Tabanovcë kalojnë në Serbi, ndërsa më pas vazhdojnë drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Kufiri greko-maqedonas është kaluar edhe nga siriani Musab, i cili thotë se udhëtimi i tij nga Siria ishte shumë i vështirë dhe i lodhshëm, por shprehet se ka nisur këtë rrugë me dëshirën për të luftuar për një jetë më të mirë.
“Udhëtimi jonë ka qenë i gjatë dhe i vështirë. Për tri ditë ne nuk kemi fjetur. Unë nuk dua të qëndroj këtu në Maqedoni, dëshiroj që sa më shpejtë të arrijë në Gjermani dhe atje të vazhdojë arsimimin. Kam studiuar gjuhën dhe letërsinë angleze, por studimet e mia u ndërprenë për arsye të gjendjes së luftës në vendin tim”, theksoi Musab.
Edhe Kemali, poashtu qytetar sirian, mbrëmë kaloi kufirin greko-maqedonas dhe arriti në qendrën për pritje. Ai thotë se dëshira e tij është që sa më shpejtë të marrë trenin që do ta transportojë në kufirin verior të Maqedonisë, për arsye se siç thotë ai, dëshiron të arrijë në vendet e Evropës.
“Së pari unë shkova në Bejrut, prej nga me aeroplan arrita në Turqi, ndërsa nga Turqia me një varkë arrita në Greqi. Tani unë ndodhem në Maqedoni dhe dua të shkoj në Suedi, sepse mendoj se do të mbrohem nga lufta në vendin tim dhe do të vazhdoj studimet atje”, thotë Kemali.
Kriza e refugjatëve në Maqedoni nuk ka të ndalur, ndërkohë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) gjatë ditës së djeshme njoftoi se drejt kampit në Gjevgjeli pritet që të arrijë një valë e re prej 7 mijë refugjatëve të cilët janë drejtuar drejt kufirit të Maqedonisë dhe Greqisë.