
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për reduktim të menjëhershëm dhe drastik të emetimeve të gazeve serrë, duke paralajmëruar se tejkalimi i përkohshëm i pragut prej 1,5 gradë Celsius të ngrohjes globale tashmë është i pashmangshëm.
Duke folur në një konferencë për media, në margjinat e samitit të klimës COP31 në qytetin jugor turk Antalya, Guterres tha se emetimet globale duhet të ulen me rreth 6 për qind në vit gjatë viteve të ardhshme, për të kufizuar përmasat dhe kohëzgjatjen e tejkalimit të këtij pragu.
“Tejkalimi i kufirit prej 1,5 gradësh tashmë është i pashmangshëm”, tha ai, duke theksuar nevojën që ky tejkalim të jetë “sa më i vogël dhe të zgjasë sa më pak të jetë e mundur”, si dhe që temperaturat të rikthehen sa më shpejt nën këtë prag.
Ai paralajmëroi se angazhimet aktuale klimatike të vendeve e vendosin botën në rrugën drejt një ngrohjeje prej rreth 2,5 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli, duke e cilësuar këtë trajektore si “një recetë për katastrofë”.
Guterres bëri thirrje për një tranzicion më të shpejtë, të drejtë dhe të barabartë, larg karburanteve fosile, duke theksuar se zgjerimi i përdorimit të energjisë së rinovueshme duhet të shoqërohet me uljen e prodhimit dhe konsumit të karburanteve fosile.
“Karburantet fosile po nxisin krizën klimatike. Nuk ka asnjë rrugë të besueshme drejt një klime të sigurt pa u larguar prej tyre”, tha ai.
Ai u bëri thirrje vendeve të zhvilluara që të përmbushin zotimet e tyre për financimin e klimës dhe të përshpejtojnë reduktimin e emetimeve, ndërsa ekonomive në zhvillim, përfshirë Kinën, u kërkoi të përshpejtojnë kalimin nga karburantet fosile drejt energjisë së rinovueshme.
Guterres gjithashtu theksoi nevojën për mbështetje më të madhe për vendet në zhvillim, veçanërisht ato më të cenueshmet, për t’i ndihmuar të përshtaten me ndryshimet klimatike dhe të përballojnë humbjet dhe dëmet e shkaktuara prej tyre.