
Australia pritet të miratojë një legjislacion gjithëpërfshirës për sigurinë në internet, i cili mund të parashikojë gjoba prej miliarda dollarësh për gjigantët e teknologjisë që dështojnë t’i mbrojnë përdoruesit nga përmbajtjet e dëmshme në internet, transmeton AA.
Sipas një marrëveshjeje mes Partisë Laburiste në pushtet dhe Partisë së të Gjelbërve, kompanitë si Google, TikTok dhe Meta mund të përballen me gjoba në vlerë deri në 5 për qind të të ardhurave të tyre globale për shkeljen e ligjeve që përcaktojnë detyrimin për kujdes në mjedisin digjital, raportoi sot gazeta “The Sydney Morning Herald”.
Këto gjoba përbëjnë rritje të konsiderueshme krahasuar me propozimin fillestar të qeverisë, i cili parashikonte një gjobë maksimale prej 109,2 milionë dollarësh australianë (72,3 milionë dollarë amerikanë) për çdo shkelje. Marrëveshja siguron mbështetjen e nevojshme parlamentare për miratimin e legjislacionit, i cili do t’u jepte australianëve të drejtën të padisin platformat digjitale për dëmet e shkaktuara në internet.
Ligji i propozuar do t’i detyronte kompanitë e teknologjisë të ndërmarrin masa parandaluese kundër bullizmit kibernetik, mizogjinisë dhe përmbajtjeve që nxisin çrregullimet e të ushqyerit te fëmijët. Platformat digjitale do të detyroheshin t’i mbronin përdoruesit e rritur nga kërcënimet për dhunë, përndjekja dhe shpërndarja pa pëlqim e imazheve intime.
Australianët e moshës 16 vjeç e lart do të mund të çaktivizonin furnizimin me përmbajtje të bazuar në algoritme dhe të shihnin vetëm publikimet nga llogaritë që ndjekin. Ministrja e Komunikimeve, Anika Wells konfirmoi marrëveshjen pas negociatave me Partinë e të Gjelbërve.
Koalicioni opozitar e ka kundërshtuar legjislacionin, duke ngritur shqetësime lidhur me lirinë e shprehjes. Ky legjislacion vjen pas ndalimit historik të Australisë për qasjen në rrjetet sociale të fëmijëve nën moshën 16 vjeç, duke zgjeruar mbikëqyrjen rregullatore të vendit ndaj kompanive globale të teknologjisë.