
Studentët dhe të rinjtë kanë organizuar demonstrata dhe braktisje të mësimit në disa vende evropiane, si pjesë e një mobilizimi ndërkombëtar kundër militarizimit, shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rritjes së kostos së jetesës, transmeton AA.
Koalicioni i Grevës së të Rinjve njoftoi se protesta po zhvilloheshin në më shumë se 25 vende, me pjesëmarrjen e një rrjeti prej mbi 50 organizatash rinore dhe studentore, nën sloganin “Luftoni për të ardhmen tonë, jo për luftërat e tyre”.
Dhjetëra mijëra nxënës dhe studentë gjermanë braktisën mësimin dhe iu bashkuan protestave në rrugë kundër planeve të qeverisë për të shkurtuar shpenzimet sociale dhe për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, mes shqetësimeve për rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Organizatorët thanë se më shumë se 50.000 persona morën pjesë në grevat shkollore në mbi 100 qytete, ndërsa nisma të veçanta rinore tërhoqën gjithashtu turma të mëdha në tubime paralele në qytete të mëdha, përfshirë Berlinin, Këlnin, Frankfurtin dhe Mynihun.
Në Berlin, rreth 4.000 persona u mblodhën pranë sheshit Alexanderplatz, sipas të dhënave të policisë të raportuara nga transmetuesi publik RBB, ndërsa organizatorët e vlerësuan pjesëmarrjen në 6.000 persona.
Në Austri, disa qindra persona u mblodhën para Universitetit të Vjenës, duke kërkuar financim më të madh për arsimin e lartë dhe më pak shpenzime ushtarake.
E përditshmja austriake Der Standard raportoi se policia shpërndau tubimin pas përplasjeve me protestuesit, duke përdorur sprej dhe duke ndaluar rreth 20 persona.
Në Danimarkë, siç raporton transmetuesi TV 2 Kosmopol, protestuesit marshuan nga sheshi i Pallatit Christiansborg në Kopenhagë drejt sheshit të Bashkisë, ndërsa një tubim paralel u mbajt edhe në Roskilde.
Në Francë, sipas mediumit lokal Rennes Infos Autrement, studentët e gjimnazit Emile-Zola në Rennes bllokuan bulevardin Janvier që nga orët e para të mëngjesit, duke penguar qarkullimin e trafikut deri në ndërhyrjen e policisë rreth orës 9:00, e cila e liroi rrugën.
Në Itali, punëtorët dhe studentët dolën në rrugë për demonstrata, të organizuara paralelisht me grevat e përgjithshme 24-orëshe të thirrura nga sindikatat CGIL dhe Cobas.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA raportoi se marshime u zhvilluan në disa qytete, përfshirë Romën, Milanon, Napolin, Gjenovën, Bolonjën, Barin dhe Torinon.
Protestuesit në Itali kundërshtuan pagat e pandryshuara, buxhetin e qeverisë për vitin 2027, rritjen e kostos së jetesës dhe kushtet në shkolla, ndërsa grupet studentore ngritën gjithashtu shqetësime për financimin e arsimit dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Sekretari i përgjithshëm i CGIL-së, Maurizio Landini, vlerësoi se më shumë se 1 milion persona morën pjesë në protesta në mbi 100 qytete.
Në Holandë, nxënësit dhe studentët braktisën mësimin në shkolla dhe universitete për të protestuar kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes.
Rreth 300 protestues u mblodhën pranë ndërtesës Stopera në Amsterdam, ndërsa rreth 350 persona morën pjesë në një demonstratë në sheshin Domplein në Utrecht dhe rreth 100 u mblodhën para Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Roterdam.
Në Poloni, rreth 100 persona u mblodhën në qendër të Varshavës për një demonstratë kundër luftës, duke kundërshtuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Protestuesit u mblodhën pranë selisë së Komandës së Garnizonit të Varshavës, në sheshin Pilsudski, duke brohoritur slogane, përfshirë “Jo rekrutimit ushtarak” dhe “Spitale në vend të bombave”.
Demonstrata u organizua nga një koalicion i grupeve rinore, përfshirë Nismën e Punëtorëve të Rinj, koalicionin “Të rinjtë kundër luftës” dhe Czerwony Front.
“Duhet të fillojmë të financojmë spitalet dhe shkollat, jo luftërat. Duhet të fillojmë diku dhe ja ku jemi”, tha aktivistja Rose Filip për Anadolu gjatë demonstratës.
Në Spanjë, sipas radios spanjolle Cadena SER, studentët u mblodhën para bashkisë së qytetit në Bilbao për të mbrojtur arsimin publik dhe për të kundërshtuar rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe privatizimin e arsimit. Sipas transmetuesit, mobilizimi u shtri edhe në Gasteiz, Barcelonë dhe Madrid.
Në Mbretërinë e Bashkuar, qindra studentë braktisën mësimin në shkolla dhe universitete në Londër, si pjesë e mobilizimit ndërkombëtar.
Një marshim studentor u zhvillua gjithashtu në Machester, ku demonstruesit marshuan nga Whitworth Arch drejt qendrës së qytetit, përpara se të mblidheshin në sheshin St Peter’s Square.