Në Shqipëri kemi realizuar projekte pothuajse në të gjitha fushat tha Prof. Dr. Birol Çetin.
TIRANË (AA) – MALIK HASA – Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) prej vitit 1996 me realizimin e rreth 270 projekteve në fusha të ndryshme ndihmon në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e Shqipërisë.
Në një deklaratë për gazetarin e Anadolu Agency (AA) koordinatori i kësaj agjencie në Tiranë, Prof. Dr. Birol Çetin shprehet se TIKA në bazë edhe të filozofisë së krijimit të saj kontribuon në politikën e jashtme të Turqisë si dhe kontribuon në rritjen e sinqeritetit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në Shqipëri kemi realizuar projekte pothuajse në të gjitha fushat tha Çetin në fjalën e tij dhe më tej shton se synimi kryesorë i tyre është të kontribuojnë në projekte të cilat shërbejnë për të punësuar sa më shumë individë dhe se fushat më të interesuara të tyre janë ato të arsimit dhe bujqësisë.
Çetin në vazhdim të fjalës së tij tha se TIKA në Shqipëri njihet gjerësisht nga institucionet, ndërsa nga qytetarët viteve e fundit me projektet e realizuara në fusha të ndryshme dhe veçanërisht në ato të restaurimit është bërë gjithmonë e më njohur nga masa e gjerë.
TIKA ka firmosur një marrëveshje protokollare me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe Komunitetin Musliman të këtij vendi për ruajtjen e veprave të historisë së përbashkët tha Çetin dhe më tej në fjalën e tij shtoi se: “Ka shumë vepra historike të përbashkëta të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore, por rreth 20 prej tyre kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Në këtë kuadër në vitet 2010 – 2014 kemi restauruar 5 xhami historike të cilat janë pjesë e monumenteve të së kulturës”.
Çetin shpjegon për AA se Xhamia e Prezës, Xhamia Murat Beu në Krujë, Xhamia Nazaresh në Elbasan, Xhamia Iljaz Beu në Korçë, Xhamia e Plumbit në Berat janë restauruar plotësisht dhe rikujton se Xhamia e Kalasë së Prezës u hap me një ceremoni ku i pranishëm ishte dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Ndërkohë Çetin shpjegon se në vazhdim të punës së tyre synojnë restaurimin e pjesës së dytë të disa monumenteve të kulturës siç janë: Xhamia Mbret në Berat; Teqeja në Berat; Xhamia Et’hem Beu në Tiranë; Xhamia e Beqarëve po në Berat si dhe Xhamia e Plumbit në Vlorë. “Projektet e këtyre objekteve kanë përfunduar dhe presim që sa më shpejt të fillojmë nga puna për restaurimin e tyre” tha Çetin.
Koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Çetin gjithashtu tha se kjo agjenci është duke punuar edhe në qytetin e Gjirokastrës, qytet ky i cili gjendet në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. TIKA pritet të përfundojë projektin e saj për xhirimin e qytetit në 3D punë kjo që sipas koordinatorit Çetin pritet të përfundojë në fund të muajit tetor dhe mund të jetë për përdorim në fillim të vitit të ardhshëm.
Në kuadër të projekteve ndihmëse për restaurimin e disa veprave të rëndësishme në Gjirokastër Çetin tha se TIKA ka në planin për vitin 2016 restaurimin e Xhamisë së Pazarit, medresesë së Hoxha Tahsinit si dhe dy tyrbe të cilat ndodhen në kalanë e këtij qyteti.
“Për shkak të punës së mirë dhe të kujdesshme që kemi bërë kemi marrë shumë vlerësime nga qytetarët e Shqipërisë. TIKA tregohet e kujdesshme në restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Për realizimin e këtyre projekteve në punojmë ngushtë me ekspertë të ardhur nga Turqia, Ministrinë e Kulturës si dhe me Institutin e Historisë dhe atë të Trashëgimisë Kulturore”.
– “Përparësia jonë janë objektet të cilat janë në këmbë”-
Duke vënë theksin se shumë objekte të trashëgimisë kulturore janë prishur dhe rrënuar në kohën e komunizmit Çetin në vazhdim të fjalës së tij shprehet se: “Ne e dimë që në disa kala ka xhami që janë shembur plotësisht si ajo e kalasë së Krujës, Shkodrës apo dhe ajo e Beratit. Këta objekte kanë vetëm themelet e tyre. Ne synojmë që fillimisht të restaurojmë ata objekte të cilat kanë mundur të qëndrojnë në këmbë, pasi nëse nuk restaurohen atëherë do të humbin dhe këto. Nuk i kemi lënë pas dore ata që janë prishur, por parësore për ne janë ato të vilat qëndrojnë në këmbë”.
Ai shprehet se në të gjitha përpjekjet kanë vetëm një qellim, rimëkëmbjen dhe zhvillimin e Shqipërisë. “Ne duam që përvojat e Turqisë ti sjellim dhe ti vëmë në dispozicionin e Shqipërisë. Kemi kërkesa nga Shqipëria sidomos për trajnimin dhe arsimimin e forcave të policisë dhe ato të shëndetësisë. Ne deri më tani kemi organizuar projekte të ndryshme trajnimi. Kemi dërguar ekipe nga institucione të ndryshme për trajnim në Turqi si nga KLSH, Gjykatat, Policia etj. Do të vazhdojmë me këto projekte dhe do ta kemi gjithmonë derën e hapur për Shqipërinë pasi e shohim që janë të dobishme. Projektet tona çojnë gjithmonë e më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve në një nivel më të lartë”.
“Shqipërinë nuk e shohim si një vend tjetër por si një vend mik dhe vëlla” tha Çetin dhe më tej shton se shpesh herë projektet që ju vijnë kalojnë edhe sasinë e limitit të dhënë për këtë vend, por megjithatë thotë ai “nuk do ta mbyllim asnjëherë derën për projektet e rëndësisë së veçantë dhe ato që nevojiten”.
