I nderuari Komandant i UÇK-së dhe kryetar i BDI-së, lexhendari Abaz, të faleminderit shumë që na shite kaq shtrenjtë.
Komandant, të kërkojmë falje që të kemi marrë në qafë dhe kemi menduar se ti dhe binjaku yt siamez, Musa Xhaferi, na kishit shitur vetëm për këtë shtëpi këtu pranë nesh.
Kur nuk arritët ta miratoni ligjin për veteranët dhe dëshmorët e UÇK-së, kur nuk arritët të bëni asgjë për buxhetin e drejtë dhe të barabartë, kur nuk arritët ta ndaloni projektin antishqiptar “Shkupi 2014”, kur nuk arritët ta rregulloni as për një fije arsimin shqip dhe kur kulturën shqiptare e barazuat me një bisht kali të sheshit të Shkupit, kur nuk arritët ta miratoni ligjin për gjuhën shqipe, kur e vratë Marrëveshjen e Ohrit dhe kur e votuat stemën me luan të VMRO-së, të gjithë ne kishim hyrë në gjynah me ju se arsyeja e këtyre dështimeve ishte kjo shtëpia këtu përballë Ambasadës Amerikane. Kishim qenë të lajthitur, andaj ju kërkojmë falje që kishim menduar se ju jeni shitës kaq të lirë! Na falni, pashë Zotin!
Prandaj sot jemi këtu që t’ju falënderojmë që nuk na keni shitur aq lirë. Ju faleminderit që çmimin e çështjes shqiptare në Maqedoni nuk e keni lënë të jetë 100.000 (njëqind mijë) euro. Vërtet do të ishim ndjerë të ofenduar të na kishit shitur aq lirë. Ama, kur tash po merret vesh se na keni shitur për 5.000.000 (pesë milionë) euro, tash e kemi ndryshuar mendimin për ju. Ju vërtet jeni lexhendë e gjallë e popullit shqiptar. Vërtet dini të na shitni shtrenjtë. Prandaj, edhe një herë: “Të faleminderit Komandant që na shite kaq 5 milionë euro!”.
Arsyeja e dytë pse jemi këtu është që kryetaren e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, ta përshëndesim dhe përgëzojmë për “Udhën e Çadrave”, si dhe për dy atraksionet e mëdha botërore të njohura si “Qyteti i Helmuar” dhe “Qyteti i Etur” dhe, me këtë rast, t’ia propozojmë edhe një pikë turistike me emrin “Pallati i Ryshfetit”. I propozojmë asaj që selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, aty ku kanë ardhur si ryshfet 5.000.000 eurot e “Maxhar Telekom”-it, ta shpallë atraksion turistik. Mendojmë se “Pallati i Ryshfetit” bashkë me “Udhën e Çadrave”, “Qytetin e Helmuar” dhe “Qytetin e Etur”, do ta ngrinte numrin e vizitorëve dhe turistëve në Tetovë dhe do ta bënte Tetovën ashtu siç keni dëshiruar edhe ju – simbol të helmimit dhe etjes, ndërsa tash edhe të ryshfetit. Që t’ju ndihmojmë në këtë, ne nga dita e nesërme do të vendosim disa shenja të këtilla rrugore në Tetovë, që secili vizitor të mund ta gjejë më lehtë “Pallatin e Ryshfetit” në Reçicë të Vogël.
Të nderuar qytetarë të Maqedonisë, le të jetë kjo ngjarje mësim për ju në ditën e votimit. Mbani mend këto fakte se do t’ju duhen. 24 prilli po vjen.
Shkup, 09.09.2015 Rinia e Lëvizjes BESA – Shkup