Fillimi LajmeRama për tërmetin kërkon organizimin e një konference donatorësh

Rama për tërmetin kërkon organizimin e një konference donatorësh

nga Shekulli Agency

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në Samitin e NATO-s në Londër, që kishte në fokus adresimin e disa çështjeve, duke përfshirë luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armëve dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Rama, në një prononcim për mediat pas fjalës së tij në samit, duke iu referuar situatës pas tërmetit të 26 nëntorit tha se ka kërkuar organizimin e një konferencë donatorësh.

Ai në lidhje me situatën pas tërmetit në Shqipëri, tha se “U ndjeva u inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin jo vetëm në dijeni, por edhe të interesuar të dinin më shumë”.

“Kam diskutuar me partnerët evropianë, kam bërë bisedë të gjatë me presidentin e Francës, me kancelaren (e Gjermanisë), me kryeministrin e Holandës dhe me një sërë liderësh të tjerë. Kryeministrja e Danimarkës ka qenë jashtëzakonisht e përfshirë dhe interesuar, pa diskutim kryeministri Conte, po kështu edhe kryeministri i Kanadasë. Me presidentin Trump kemi folur, me presidentin Erdoğan kemi folur dhe të shikojmë tani më tutje, por qëllimi është për të organizuar një konferencë të madhe donatorësh dhe kjo ka qenë ajo që unë kam kërkuar. Reagimet e para janë pozitive”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se kanë parë shumë ndihmë në momentet e para pas tërmetit, dhe vazhdojnë të shikojnë ndihmë me ekipet e eksperteve dhe ndihmë për logjistikën e strehimit të përkohshëm që vazhdon.

Ai në lidhje me procesin e integrimit evropian të vendit theksoi se përtej dallimeve dhe kundërshtimeve të natyrave të ndryshme, në aspektin e procesit të negociatave, Evropa është e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve.

Pjesë e delegacionit të Shqipërisë në këtë samit ishte edhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Gjatë takimeve në Londër, zyrtarët e lartë të Shqipërisë, kanë diskutuar edhe për situatën pas tërmetit në vend.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies