Fillimi JavaKina kundërshton SHBA-të për projektligjin për mbrojtjen e të drejtave të ujgurëve

Kina kundërshton SHBA-të për projektligjin për mbrojtjen e të drejtave të ujgurëve

nga Shekulli Agency

Kina ka reaguar ndaj projektligjit amerikan për të forcuar reagimin e SHBA-ve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut kundër muslimanëve ujgurë në Xinjiang, territorin autonom në Kinën veriperëndimore.

Agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua njofton se zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Hua Chunying, shprehi kundërshtimin e fuqishëm të Pekinit zyrtar ndaj miratimit të projektligjit në Dhomën e Përfaqësuesve për çështjet që ndërlidhen me Xinjiang-un.

“Akti amerikan për Politikat e të Drejtave të Njeriut të Ujgurëve i vitit 2019 qëllimisht njollos gjendjen e të drejtave të njeriut në Xinjiang, shpif për përpjekjet e Kinës për deradikalizim dhe kundër-terrorizëm dhe dhunshëm sulmon politikën e qeverisë kineze ndaj Xinjiang-ut”, citohet të ketë thënë Hua.

“Ne ia deklarojmë qartë pozicionin tonë SHBA-ve, pasi Xinjiang është pjesë e Kinës, punët në lidhje me atë janë thjesht çështje të brendshme që nuk tolerojnë asnjë ndërhyrje të huaj”, shtoi ajo.

Hua gjithashtu tha se projektligji amerikan shkel ligjin dhe normat ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndërhyn në punët e brendshme të Kinës.

“Ne i bëjmë thirrje SHBA-ve që të korrigjojë gabimin menjëherë, të parandalojë që ky projektligj të bëhet ligj dhe të ndalojë përdorimin e çështjeve të lidhura me Xinjiang-un për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës. Kina do të ndërmarrë veprime të mëtejshme në bazë të mënyrës se si zhvillohet situata”, paralajmëroi Hua.

Të martën, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve miratoi një projektligj i cili ka për qëllim të ushtrojë presion ndaj Pekinit zyrtar në lidhje me veprimet dhe masat e ndërmarra në rajonin me shumicë muslimane Xinjiang.

Projektligji dënon ndalimin e më shumë se një milion ujgurëve, kazakëve dhe minoriteteve të tjera në kampe “riedukimi” dhe akuzon Kinën për “diskriminim sistematik” ndaj ujgurëve duke ua mohuar atyre të drejtat civile dhe politike, duke përfshirë lirinë e shprehjes, besimit, lëvizjes dhe gjykimit të drejtë.

Projektligji parasheh që Departamenti i Shtetit të vlerësojë nëse zyrtarët kinezë do të përmbushin kriteret e sanksioneve për rolet e tyre në shtypjet mbi rajonin Xinjiang.

Projektligji duhet të miratohet në Senatin amerikan dhe të nënshkruhet nga presidenti Trump për t’u bërë ligj.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies