Fillimi LajmeIbrahimi: Gjaku dhe krimi nuk lahen me ujë

Ibrahimi: Gjaku dhe krimi nuk lahen me ujë

nga Shekulli Agency

Zeqirija-Ibrahimi

Anëtari i Këshillit Koordinues të Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi ka reaguar rreth disa artikujve të personave të afërt me BDI-në, ku është shfaqur tendenca për të amnistuar të bëmat e zyrtarëve të partisë shqiptare në pushtet.

Ibrahimi e ka nisur shkrimin e tij duke cituar një shembull nga një ngjarje historike. “Kur regjenti i Perandorisë Romake në Judejë, Pontius Pilat, e dënoi Jezuin (Isain a.s.) me kryqëzim, ndërsa ia fali kriminelit Barabba, ai i lau duart me ujë dhe i ngriti lart në shenjë të mesazhit se e “unë e mora atë vendim që ma kërkuat ju!”, ka shkruar Ibrahimi.

Më tej, Ibrahimi shkruan se kështu i duken këto ditë edhe disa artikullshkrues të BDI-së dhe anonimë të tjerë, megjithëse të njohur po ashtu si njerëz të partisë shqiptare në pushtet që, duke i larë duart, dëshirojnë të thonë se “ne nuk kemi faj pse u bëmë kriminelë, sepse ju e kërkuat këtë prej nesh”.

“Ata na fajësojnë neve (shqiptarët ordinerë ose opozitën shqiptare) se i kemi detyruar të bëhen kriminelë, sepse shqiptarët e tjerë (që nuk janë me ata) po bashkëpunuakan me maqedonasit dhe me shërbimet e ndryshme sekrete kundër idealeve të tyre “të larta”.

Prandaj, shkruan Ibrahimi, sa për ta kthjelluar memorien dhe që të mos mendojnë ata se ne jemi bërë sklerotikë, do t’ua parashtroj disa pyetje:

– Me kë ishit ju në kohën kur ndodhi rasti i Sopotit dhe pse nuk ndërmorët asgjë që ata pesë shqiptarë të mos kalben në burgje?;

– Me kë ishit ju kur u vranë komandantët e UÇK-së?;

– Me kë ishit ju kur policia maqedonase i tërhiqte zvarrë gratë shqiptare në rastin “Monstra”?;

– Me kë ishit ju kur miratoheshin buxhetet për projektin antishqiptar “Shkupi 2014”?;

– Me kë ishit ju kur të parët tuaj merrnin ryshfet nga 5 milionë euro?;

– Ku ishte ministri juaj i Drejtësisë që të ndërhyjë në rastin “Monstra”, siç kishte ndërhyrë në vendosjen e gjykatësve që ia kishte kërkuar “Shefi”?;

– A mos ju detyruam ne që kriminelët t’i bëni funksionarë (e, kur t’ju zbulohen, të na thoni se nuk ishin tuajt)? ;

– A mos ju nxitëm ne që ju ta bllokoni zhvillimin e zonës ekonomike në Tetovë?;

– A mos ju ndalëm ne që t’ia vendosni filtrat fabrikës “Jugohrom”?;

– A mos ju penguam ne që mos t’i pastroni tekstet shkollore dhe mos t’i ndërroni emrat e vetëm dy shkollave në Shkup?;

– A mos jemi fajtorë ne që nxënësit shqiptarë pengohen nga shkolla e tyre amë në Shkup?;

– A mos ju thamë ne që zyrtarët tuaj të vjedhin dhe ashtu të bëhen të zhvatur nga Mijallkovi dhe, së fundi, edhe nga Zaevi?;

– A mos ju shtrënguam ne që ju ta votoni stemën me luan të VMRO-së?;

– A mos ju mashtruam ne që ju të fotografoheni dhe xhiroheni në poza të pamoralshme dhe ato pastaj t’i publikoni?;

– A mos ju urdhëruam ne që ju të vriteni mes vete për shkak të dashnoreve që i shëtitnit nëpër Paris?;

– A mos ju detyruam ne që ju të bëheni pjesë e skenarit të Kumanovës?.

Të nderuar, edhe Pilati mendoi se u shfajësua që i lau duart me idenë se “unë e mora vendimin që ma kërkuat”, por historia e mban mend si kriminel që dha urdhër për kryqëzimin e Jezuit. Sepse gjaku dhe krimi nuk lahen me ujë.

Dhe, pas kësaj, kjo botë mbeti e ndarë në: pasues të Pilatit dhe pasues të Jezuit, pra në kriminelët dhe viktimat. Besoj se ju e dini mirë me kë jeni. Për fat të keq, Pilati sot është trupëzuar në qenien tuaj!

Në fund, Ibrahimi udhëzon ata që nuk e dinë se kush është Pilati që  ta rilexojnë poezinë e Nolit “Marshi i Barabbajt”. /SHENJA/

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies