
Ambasadori turk, Ahmet Altay Cengizer, është zgjedhur për të kryesuar Sesionin e 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara).
“Gjatë votimit për kryesimin e Sesionit të 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, që do të mbahet në Paris në 12-27 nëntor të vitit 2019, ambasadori Altay Cengizer është zgjedhur kundër konkurrentit të tij spanjoll”, tha në një njoftim Ministria turke e Punëve të Jashtme.
Ministria po ashtu njoftoi se përzgjedhja është një rekomandim dhe Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, e cila do të fillojë procedurat e saj në 12 nëntor, do të miratojë vendimin.
“Presidenti i Konferencës së Përgjithshme, së bashku me postin e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së Bordit Ekzekutiv, është një nga tre detyrat dhe radhët e UNESCO-s në krye të protokollit”, tha ministria.
Në njoftim theksohet se rezultati i zgjedhjeve është një reflektim i aktiviteteve dhe qëndrimit të drejtë të ambasadorit Cengizer, si dhe të cilësive të tij personale.
“Ne besojmë se ambasadori Cengizer, i cili do të shërbejë për periudhën 2019-2021, do të japë kontribute të vlefshme në UNESCO dhe i urojmë atij çdo sukses”, tha ministria.
Cengizer ka përfaqësuar Turqinë në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2017-2021.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, që mbahet çdo dy vjet, është organi më i lartë vendimmarrës i organizatës.