Fillimi LajmeDeputetët e opozitës qëllojnë me vezë ndaj Kryeministrit Mustafa, ndërpritet seanca

Deputetët e opozitës qëllojnë me vezë ndaj Kryeministrit Mustafa, ndërpritet seanca

nga Shekulli Agency

kuvendi-kosove

Kryeministri i Kosovës është qëlluar me vezë në momentin kur ka filluar të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura me Serbinë, në Bruksel, më 25 gusht.

 

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është qëlluar me vezë nga deputetët e opozitës së bashkuar, VV-AAK-Nisma, në momentin kur ka filluar të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura me Serbinë, në Bruksel, më 25 gusht.

Hedhja e vezëve në drejtim të kryeministrit Mustafa filloi pasi që ai u arsyetua për mos raportimin në seancën e kaluar, për shkak të mungesës së anëtarëve të kabinetit që kanë qenë pjesë e dialogut me Serbinë dhe nënshkrimit të marrëveshjeve në Bruksel, si dhe në momentin kur insistoi që marrëveshjet janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Në këtë moment, deputetët e opozitës së bashkuar që me ngulm kundërshton nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë, ndër të tjera edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, filluan hedhjen e vezëve në drejtim të kryeministrit Mustafa por edhe të kabinetit qeveritar.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e quajti veprimin e opozitës si të turpshëm dhe kërkoi që të ndërpriten këto veprime.

Ndërkohë, në sallë hyri sigurimi i Kuvendit për ta mbrojtur kryeministrin Mustafa me çadra dhe duke e rrethuar atë, për ta nxjerr jashtë sallës, ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u indinjua me këtë veprim të sigurimit i cili u fut pa ftesën e tij.

“Avash, avash. Sigurimi kush ju tha…sigurimi, dil jashtë, sigurimi! Dil jashtë shpejt! Sigurimi dil jashtë. Pauz!” ishin fjalët e kryeparlamentarit Veseli i cili dha 10 minuta pushim.

Edhe pse kryeministrin Mustafa nuk e qëlluan vezët e opozitës, ato qëlluan disa nga ministrat e kabinetit të tij, ndër ta ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmanin, zëvendëskryeministrat Kujtim Shalën dhe Hashim Thaçin.

Kjo situatë solli ndërprerjen e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën kishte një pikë të vetme të rendit të ditës, raportimin e Qeverisë së Kosovës për marrëveshjet e Brukselit.

Opozita e bashkuar, Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA, janë duke kundërshtuar vazhdimisht nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë, ndër to, në mënyrë më të ashpër atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies