Fillimi LajmeBallkaniTensione në Kuvendin e Kosovës, opozita përdor gaz lotsjellës

Tensione në Kuvendin e Kosovës, opozita përdor gaz lotsjellës

nga Shekulli Agency

Opozita duke përdor fishëkllimat e filikaqave, hedhjen me ujë në drejtim të folësve dhe në fund, gazin lotsjellës tentoi të bllokojë punën e Kuvendit.

kuvendi-kosove(AA) –  Seanca e sotme sërish filloi me bllokimin e foltores nga ana e 30 deputetëve të partive opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, ku ka reaguar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli duke dhënë pushim 10 minuta por, vetëm brenda sallës së Kuvendit, duke ftuar mediet të hynë te foltorja ku ai do të mbante një konferencë të jashtëzakonshme. Ndërkohë me ujë dhe gaze lotsjellës opozita tentoi të pengojë punën e Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Deri sa kryetari Veseli po mbante konferencën për media, në kushte të jashtëzakonshme, deputetët e opozitës duke fryrë në filikaça, me zhurmën e krijuar pengonin adresimin e kryeparlamentarit. Ai porositi se pozita nuk do të lejojë që të tensionohet edhe më shumë situata dhe që nga salla e Kuvendit të krijohet pretekst për të krijuar manipulime politike. Njëherësh, Kadri Veseli ftoi opozitën që të vij dhe të komunikojë me pozitën në mënyrë normale.

“Ne kërkojmë nga kolegët tanë që, përveç këtyre filikaqave, të vijnë dhe të komunikojnë së bashku me ne, në parlament. Janë 90 deputetë në këtë anë, të cilët dëshirojnë të vazhdohet puna. Janë edhe 30 deputetë, kolegë të opozitës të cilët tentojnë ta bllokojnë punën” tha Veseli duke e ftuar opozitën që për këto çështje të debatoj në seancë plenare edhe pse kjo nuk është në rend dite.

Kryeparlamentari Veseli ftojë të gjithë deputetët që të deklarohen, a dëshirojnë të vazhdojnë seancën apo dëshirojnë ta bllokojnë punën e Kuvendit

“Le ta vendosin vet deputetët, le ta vendosin në mënyrë të lirë por, askush dhe asnjëherë nuk do të mund, as me filikaqe, as me skalpera, as me as një mjetë me e bllokuar punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës” tha Veseli.

Ndërkohë, për media folën edhe deputetët e opozitës që akuzuan koalicionin qeverisës se me nënshkrimin e Marrëveshjeve në Bruksel dhe Demarkacionin për kufirin me Malin e Zi, e kanë copëtuar territorin e Kosovës, nga njëra anë duke ia dhënë në menaxhim 30% të territorit të Kosovës, Serbisë dhe duke ia falur një pjesë të Rugovës, fqinjëve, Malit të Zi.

Opozita është e vendosur ta pengojë vazhdimin e punës së Kuvendit, me çdo çmim,  përderisa nuk tërhiqen nënshkrimet e Qeverisë nga këto dy marrëveshje.

“Përpjekjet e pushtetit që Kuvendin ta bëjnë arenë ku do të legjitimohen marrëveshjet e dëmshme të cilat e ndajnë Kosovën , e defunskionalizojnë duke na marrë mbi 10 mijë hektarë tokë, nuk do të lejohen nga ne si deputetë të Republikës së Kosovës” tha Bujupi duke thënë se nuk do të lejojnë që me mbajtjen e seancave të rregullta të pretendohet se çdo gjë është në rregull kur po copëtohet territori i Kosovës.

“Ashtu siç ju kemi paralajmëruar, kjo Qeveri ka vetëm dy mundësi: ose tërheqje ose dorëheqje . Ne i thërrasim që të tërhiqen nga nënshkrimet e dëmshme për Kosovën dhe të kthehen në Kuvend ku do të vazhdojmë punën tonë pozitë-opozitë, mirëpo jo në këtë formë, jo duke pretenduar që të improvizohet normaliteti” tha Bujupi.

Pas pushimit prej 30 minutave, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar opozitën që të mundësojë vazhdimin e punës por kjo nuk lëshoi pe dhe pengimi i punës së Kuvendit vazhdoi me zhurmën e filikaqeve.

Me këtë rast, kryeparlamentari Kadri Veseli ia ka dhënë kryesimin e seancës nënkryetarit Xhavit Halit, nga ulëset e deputetëve, por deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të kryesuar nga kryetari Visa Ymeri, Albin Kurti, Finisk Ismajli dhe tjerët, vazhduan që me filikaqa, nga afërsia, duke iu ardhur deri tek fytyra,  të pengojnë Halitin dhe shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin.

Tensionet në Kuvendin e Kosovës u rritën edhe më shumë kur, përkundër fishkëllimave pozita vazhdoi punën për të diskutuar dhe votuar miratimin e 9 pikave të rendit të ditës.

Tensionet u ritën edhe më shumë kur, Albin Kurti hodhi ujë në fytyrë, Xhavit Halititi, mirëpo ky me gjakftohtësi e vazhdoi seancën e cila punonte në kushte të jashtëzakonshme, ku deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje përdorën të gjitha mjetet për të pamundësuar punën, filikaqat, ujin dhe duke tentuar të shkyçin mikrofonat e folësve.

Megjithatë, përkundër fërkimeve të mëdha, që në momente u përcollën edhe me  ofendime, shumica parlamentare e përbërë nga 63 deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe, të përkrahur edhe nga grupi 6+, votojë të gjitha 9 projektligjet e parapara me rend të ditës. Në momentin kur po diskutohej pika e fundit, shqyrtimi i parë i Projektligjit për themelimin e Fondit kosovar për garanci kreditore, në sallë dikush nga opozita kishte hedhur gaz lotsjellës dhe kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti e përfundoi atë , duke e hedhur në votim dhe duke e përfunduar seancën.

Kështu, pas një situate të paparë deri tani në Kuvendin e Kosovës, seanca u përmbyll me votimin në parim dhe miratimin e të gjitha projektligjeve të parapara për seancën e sotme, projektligjin për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, Projektligjit për letërnjoftimin, Projektligjit për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës. Gjithashtu  ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim: “KSV/018: Mbështetje institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës”, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligji për energjinë termike, Projektligji për dizajnin industrial, si dhe Projektligji për themelimin e Fondit kosovar për garanci kreditore.

Të gjitha këto projektligje u votuan me nga 63 vota pro dhe pa abstenime dhe vota kundër, nën fishkëllimat dhe tensionet në sallë.

Paraprakisht, para fillimit të seancës së Kuvendit, deputetët e partive opozitare kishin ndërmarrë edhe një aksion, duke hequr pëlhurat të cilat mbulonin dy pikturat e mëdha me motive kombëtare shqiptare, në hollin e Kuvendit.

Këto piktura të cilat u mbuluan vite më parë, me kërkesë edhe nga bashkësia ndërkombëtare, me pretekst se paraqesin vetëm simbole të popullatës shumicë të Kosovës por jo edhe të komuniteteve tjera, sot u janë zbuluar nga deputetët e tri partive opozitare, deputeti i AAK-së Pal Lekaj dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli, të cilët u ndihmuan nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Fatmir Limaj.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies