“Turqia nuk është një vend që merret me komplote, kërcënime dhe përpilime të planeve të fshehta. Turqia gjithmonë e thotë atë që ka në mendje dhe nuk ka standarde të dyfishta”, tha Yildirim
Ankaraja zyrtare nuk dëshiron përkeqësimin e marrëdhënieve me Berlinin si pasojë e përgatitjeve të Parlamentit gjerman për të votuar një rezolutë e cila synon të njohë vdekjet e armenëve gjatë vitit 1915 si një “gjenocid”, deklaroi kryeministri i Turqisë Binali Yildirim.
Vërejtjet e Yildirimit u bënë në prani të gazetarëve në aeroportin Esenboga në Ankara, prej ku kryeministri nisej për vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën Turke të Qipros Veriore.
“Turqia nuk është një vend që merret me komplote, kërcënime dhe përpilime të planeve të fshehta. Turqia gjithmonë e thotë atë që ka në mendje dhe nuk ka standarde të dyfishta. Ne deri në fund mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e marrëveshjeve të arritura. BE le ti përmbush premtimet e dhëna. Kjo nuk është një bashkësi fisnore, Republika e Turqisë është një vend me rrënjë dhe traditë të pasur”, tha Yildirim, duke bërë thirrje edhe një herë që për të kaluarën të flasin historianët.
“Nuk kemi asnjë sekret apo diçka të fshehtë. Themi që historia dhe e kaluara të gjurmohet, por këtë ta bëjnë historianët”, tha ai.
Muajin e kaluar, deputeti gjerman Albert Weiler njoftoi se parlamenti i vendit do ta konsideronte votimin për rezolutën armene të enjten e kësaj jave.
Yildirim paralajmëroi se historia po shndërrohet në një mjet të politikës ndërkohë që u ndal edhe te komuniteti i madh turk në Gjermani.
“Shpresoj që Parlamenti gjerman dhe vendimmarrësit nuk do të shndërrohen në një vesh të shurdhër karshi 3.5 millionë votuesish. Nga këtu ne nuk dëshirojmë që kjo rezolutë të marrë dritë të gjelbër”, tha Yildirim.
“Për ne kjo është e barabartë me zero, por sidoqoftë ne nuk dëshirojmë kjo të ndodhë”, shtoi më tej kryeministri turk.
Të martën, presidenti Recep Tayyip Erdogan bisedoi përmes telefonit me kancelaren Angela Merkel për të ndarë ndjeshmërinë e Ankarasë mbi rezolutën në fjalë.
Vitin e kaluar partitë parlamentare gjermane në parim miratuan rezolutën por të njëjtën e dërguan në një komision për procedim të mëtejmë.
Vdekja e armenëve në Anatolinë lindore në vitin 1915 ka ndodhur pasi disa prej tyre morën anën e pushtuesit rus dhe u rebeluan kundër forcave osmane.
Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi me viktima të shumta.
Turqia refuzon të etiketojë vdekjet si “gjenocid”, por pranon se në të dyja anët ka pasur një numër të madh të të vdekurve.