Kërcënimi i organizatës terroriste PKK ndaj Turqisë vazhdon të rritet në kufijtë e Sirisë dhe Irakut. Sinxhar dhe Afrin dalin në pah si dy qendra të cilat mbartin mijëra militantë të PKK-së si dhe stërvitjen e të rinjve për tu dërguar në pozicione të reja.
Organizata terroriste PKK vazhdon të forcojë pozitat e saj në Afrin të Halepit në Siri, që prej fillimit të konfliktit në vitin 2011 në këtë vend.
Afrin ndodhet përballë qytetit Hatay të Turqisë dhe është pika e fundit e boshtit ku organizata terroriste PKK përmes degës së armatosur të saj në Siri, PYD, shtrin boshtin e kontrollit.
Organizata terroriste kërkon të shtrijë kontrollin e saj në kufirin Turqi-Irak-Siri i cili fillon nga qyteti Haseke deri në qytetin Afrin që ndodhet në perëndim të lumit Eufrat. Për këtë arsye organizata terroriste PKK/PYD ka shtuar sulmet në Tel Rifat-Bab, ndaj Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) dhe organizatës terroriste DEASH.
PYD/PKK për shkak të rëndësisë strategjike vazhdon të dërgojë militantë në Afrin, qytet ky i cili ka një popullsi prej 150 mijë banorësh.
Organizata dërgon qindra të rinj në juglindje të Afrinit çdo muaj, ku i trajnojnë për përleshje të armatosura nën moton e “ushtrisë së detyrueshme”.
Kërcënim ndaj Turqisë nga vija Afrin-Amanos
Dihet që organizata terroriste ka shumë pozicione militare në kufi me Turqinë. Sipas informacioneve që zyrtarë turq të sigurisë kanë dhënë për gazetarin e AA, thuhet se organizata ka edhe një pistë helikopterësh në fshatin Racu, vend ky që përdoret për ndihmat e mara nga SHBA-ja dhe regjimi i Asadit.
Burimet e sigurisë ngrenë alarmin se rritja e numrit të militantëve si dhe armatimeve të kësaj organizate terroriste në Afrin, është një kërcënim në rritje për Turqinë.
Duke përfituar nga terreni, militantët e PKK/PYD mund të kalojnë edhe në malet Amanos që ndodhen në Turqi duke kaluar edhe armatime në këtë anë. Forcat e sigurisë vazhdojnë kontrollet e vazhdueshme në këtë zonë kufitare.
“Kandili” i dytë në Irakun e Veriut
Marrja nën kontroll nga organizata terroriste DEASH e rajonit Ninova të Mosulit u bë shkak për kalimin e PKK-së në këtë rajon. Organizata terroriste PKK përmes militantëve që dërgoi nga Siria në vitin 2015 mori nën kontroll qytetin e Sinxharit. Organizata shfrytëzoi frikën e banorëve këtu për të ngritur strukturat e saj të armatosura, duke dhënë edhe trajnime lufte.
PKK ka dërguar nën ombrellën e Hashdi Shabi-s rreth 2 mijë militantë nën emrin “Unioni i Mbrojtësve të Sinxharit”. Në këtë mënyrë kjo organizatë ka ngritur edhe një marrëveshje kundër Turqisë në këtë rajon. PKK krahas forcave mbrojtëse të Sinxharit ka dërguar në këtë qytezë edhe 700 militantë nga mali i Kandilit.
Organizata terroriste e ndjen veten të sigurtë në zonën Sinxhar për shkak të largësisë së saj rreth 100 kilometra nga kufiri. Për këtë arsye ajo mund të formojë një “Kandil” të dytë në këtë vend.
Edhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dha një sinjal të qartë në këtë drejtim duke thënë në fjalimin e tij të 26 tetorit se “Organizatat terroriste janë të njëjta. Edhe në Siri edhe në Irak. Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër tyre në Kirkuk, Mosul, Telafer dhe Sinxhar. Përse? Sepse Sinxhari rrezikon të kthehet në një Kandil të dytë. Për këtë arsye nuk mund të lejojmë Sinxharin. Sepse atje është PKK.”
PKK në Sinxhar po bën një propagandë të fuqishme kundër liderit të Partisë Kurde Demokratike në Irakun e Veriut, Mesut Barzani dhe Turqisë.
Organizata e cila ka frikë se nuk do të jetë e pranishme në Sinxhar pas shpëtimit të Mosulit, ka vendosur në sistemet e arsimit në vend mendime radikale të majta duke futur ideologjinë e kryeterroristit Abdullah Öcalan, duke injektuar idetë terroriste tek grupi Yazidi të cilët jetojnë në masë në këtë qytezë.
Sulmet e përfaqësuesve të PKK-së në Sinxhar, Forcave të Mbrojtjes së Sinxharit ndaj fshatrave Sunite Arabe me pretendimin se ndihmojnë DEASH-in shkaktuan reagime të ashpra nga drejtues Yazidi në Sinxhar.