Fillimi LajmeBotaIsh-Drejtori i Al Jazeera: Mendoj se amerikanët e dinin se në Turqi do të ketë grusht shteti

Ish-Drejtori i Al Jazeera: Mendoj se amerikanët e dinin se në Turqi do të ketë grusht shteti

nga Shekulli Agency

Hanfer pohoi se amerikanët e dinin që më parë se në Turqi do të ketë grusht shteti ushtarak

hanfer-5444Ish-Drejtori i Përgjithshëm i televizionit transmetues në Katar, Al Jazeera, Vaddah Hanfer dhe njëherit Kryetari i Forumit Esh-Shark, pohoi se amerikanët e dinin që më parë se në Turqi do të ketë grusht shteti ushtarak.

Hanfer dha deklarata për gazetarin e AA-së në lidhje me tentativën e dështuar për grusht shteti që u organizua nga organizata terroriste FETO mbrëmjen e së premtes në Stamboll dhe Ankara.

“Një grusht shteti i përmasave të këtilla nuk mund të realizohet pa u konsultuar me amerikanët ose pa u dhënë informata atyre. Nuk duhet të harrojmë se ushtria e Turqisë është pjesë e NATO-s dhe se SHBA-të kanë të pozicionuar trupa ushtarake në bazën Incirlik. E dimë se në Incirlik ka disa probleme dhe se oficerët turq atje kanë kolegë amerikanë”, tha Hanfer, për të vazhduar më tej se “Mendoj se amerikanët dinin që më parë për grusht shtetin porse e mbanin veten jashtë këtyre ndodhive. SHBA-të morën qëndrim të atillë që nëse grushti i shtetit do të kishte sukses, atëherë atë do ta pranonin si gjë të mirë, por nëse ai do të dështonte, atëherë do të mbeteshin neutralë”.

Hanfer u shpreh se deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry se “Washingtoni zyrtar nuk ka lidhje me grushtin e shtetit” është qëndrim i pritur nga ana e tij. Sipas tij, “Deklarata e Kerry-t në orët e para kur po realizohej grusht shteti nuk ishte e qartë. Megjithatë, më vonë erdhën mesazhe nga Presidenti i SHBA-ve dhe të tjerët në përkrahje të qeverisë legjitime në Turqi”.

– Sikur grusht shteti të ishte i suksesshëm, do të ndikoheshin drejtpërdrejt interesat e Evropës

Duke vënë në pah faktin se viteve të fundit politika dhe shtypi në Evropë ka ndjekur politikë për shpalljen e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe qeverisë së tij si diktatorë, Hanfer u shpreh se “Reagimet e vonuara dhe të paqarta të Evropës ndaj tentativës për grusht shteti janë treguesi më i mirë se ajo nuk dëshiron që Turqia ta vazhdojë rrugën nën udhëheqjen e Erdoğanit. Ndërsa po zhvillohej grusht shteti, e pamë se media dhe politika e Evropës ishin hezituese. Në vend të deklaratave që do ta dënonin puçin, kishte deklarata talljeje dhe të tilla që fillimisht kërkonin t’i jepet kohë puçit për ta parë suskesin e tij”.

“Sikur grusht shteti të ishte i suksesshëm, pa dyshim që Evropa do ta miratonte atë, mirëpo kur opinioni perëndimor dhe shumica e vendeve fqinje kuptuan se populli turk e ka zbrapsur atë, atëherë filluan të vërshojnë deklarata”, tha Hanfer. Ai më tej komentoi se “Qëndrimi i këtillë i Evropës do të ishte parimisht në kundërshtim me interesat e saj, sepse futja e Turqisë në kaos do të ndikonte në Evropë qoftë në çështjen e refugjatëve, qoftë atë të terrorizmit, apo çështje të tjera”.

– Efektet në Lindjen e Mesme të tentativës për grusht shteti në Turqi

Duke theksuar se tentativa për grusht shteti ka shfaqur prezencën e një përvoje demokratike në rajon e cila është zhvilluar në vetëdijen e popullit dhe pajtimin shoqëror larg ndarjeve ideologjike, klasore dhe sektare, Hanfer tha se “Ndodhitë e fundit janë pikë kthese si për Turqinë, ashtu edhe për Lindjen e Mesme, pikë kthese e cila do ta përgatitë lindjen e Turqisë së re. Ato që po i përjetojmë sot janë dhimbjet e lindjes së fazës së re të Turqisë në jetën politike, të brendshme dhe atë të jashtme”.

Ai ngjarjet e fundit i konsideroi si luftë mes “së vjetrës” dhe “së resë”.

“Ndodhitë e fundit paraqesin humbjen e ‘së vjetrës’, që tenton ta marrë pushtetin, dhe fitoren e së ‘resë’. Kjo ‘e re’ që ka ngadhënjyer në fakt është populli i cili u kap krah për krah dhe shfaqi një pajtim unik kombëtar. E ardhmja e Turqisë, si shtet i cili përpiqet të formojë një republikë të re mbi themelet e pajtimit demokratik, është në duar të sigurta. Ushtrisë dhe ‘të vjetërve’ që përbëhen nga forcat të cilat e përkrahin atë, nuk u ka ngelur lidhje e vërtetë me popullin. Thënë ndryshe, këta janë forca të vjetra që ende jetojnë në të kaluarën dhe nuk janë të vetëdijshëm se shoqëria turke është pjekur në demokraci me të gjitha forcat e saj sociale, kulturore dhe politike”, thotë Hanfer.

Ai thekson se populli turk e ka kuptuar se demokracia të cilën e solli Erdoğan dhe ekipi i tij ka sjellë mirëqenie dhe stabilitet politik dhe një jetë e cila përfiton nga shteti, krahasuar me kohërat e puçeve të mëhershme të cilat ishin armike për popullin. Duke vënë në pah se demokracia është e lidhur afër me jetën e njeriut dhe pjesë e pashkëputshme e saj, Hanfer u shpreh se shoqëria turke e ka kuptuar këtë gjë dhe se kjo gjendje është element shumë i rëndësishëm për popujt e rajonit.

– Ndryshimet që do të ndodhin në politikën e jashtme të Turqisë

Në lidhje me atë se si do të reflektojë tentativa e pasuksesshme për grusht shteti në qëndrimin e Turqisë, Hanfer vlerësoi se “Shtetet i formojnë politikat e jashtme zakonisht duke u bazuar në interesa. Edhe Turqia, posaçërisht periudhën e fundit, politikën e jashtme e ka formuar në bazë të interesave dhe në këtë mënyrë u përpoq të krijojë balancë në marrëdhëniet me shtetet e rajonit, si për shembull Rusia dhe Izraeli”.

Hanfer është i mendimit se tentativa për grusht shteti i ka dhënë më shumë legjitimitet Presidentit Erdoğan dhe qeverisë dhe se i ka mënjanuar ndarjet mes popullatës. “Besoj që presidenti do ta vlerësojë mirë këtë çast historik dhe do ta vendosë demokracinë në atë mënyrë që do të jetë e pranuashme pa pikë kundërshtimi, si dhe do të ndjekë politika të sigurta dhe të fuqishme, si brenda, ashtu edhe jashtë”.

Sipas tij, element tjetër vendimtar në politikën e jashtme turke do të jetë qëndrimi të cilin vendet fqinje dhe madje edhe komuniteti ndërkombëtar e shfaqën gjatë tentativës për puç. Ai mendon se zhvillimi i fundit në Turqi nxorri në dritë se kush është mik e kush armik dhe se diplomacia turke do të riformohet në bazë të kësaj.

– Leksionet që duhet marrë nga puçi

Hanfer potencoi se bota arabe duhet të nxjerrë leksione nga tentativa për grusht shteti në Turqi.

“Popujt duhet të motivohen nga ato që ndodhën në Turqi dhe ta dinë se mbrojtësi i demokracisë kundër ushtrisë turke e cila është në mesin e ushtrive më të rëndësishme në botë, është populli turk i cili është pjekur dhe e ka kuptuar se demokracia i shërben shoqërisë në çdo sferë. Leksioni më i rëndësishëm që duhet ta marrim, pra, është ky botëkuptim ndaj demokracisë”, tha ai.

Në fund, Hanfer u shpreh se demokracia nuk mbrohet vetëm duke shkuar në vendvotime, por ajo mbrohet duke mundësuar një mjedis pajtimi i cili tejkalon të gjitha dallimet ideologjike dhe klasore në favor të krijimit të një botëkuptimi të lirë dhe demokratik i cili i ngërthen të gjithë brenda vetes.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies