Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi janë kapur në flagrancë me 5.5 kilogram lëndë narkotike. Burimet bëjnë me dije se droga e llojit heroinë u evidentua në një furgon nga policia Kufitare e Durrësit. Të njëjtat burime thanë se droga ishte fshehur në një furgon tip Benz, me targa AA 517 DD.
Mësohet se në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Lorand Dhëmbi, 49 vjeç dhe Bledar Çapani, 46 vjeç. Policia ka nisur hetimet lidhur me zbardhjen e plotë të trafikut të lëndës narkotike si dhe për mundësinë e përfshirjes nga të tjerë persona në këtë grup.
Materialet I kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale ” Trafikimi i lëndëve narkotike ” parashikuar në nenin 283 / a / 2 të Kodit Penal, informon policia e Durrësit.