Ambasadorja e sapo emëruar e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç i ka dorëzuar letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë takimit të parë të zhvilluar sot në Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka pritur në takim ambasadoren e sapo emëruar të Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç. Gjatë këtij takimi, ambasadorja Kiliç i ka dorëzoi letrat kredenciale presidentes së Kosovës.
Presidentja Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, ambasadores Kiliç i shprehu mirënjohjen për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ajo e çmoi lart mbështetjen që Turqia i ka dhënë institucioneve të Kosovës në të gjitha proceset e shtet-ndërtimit dhe gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.
Nga ana e saj, ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kivilcim Kiliç shprehu përkushtimin e vendit të saj për bashkëpunimin me Kosovën, duke siguruar se Turqia do të vazhdojë të jetë përkrahëse e fuqishme e anëtarësimit të Kosovës në institucionet rajonale dhe ato ndërkombëtare, në fushën e rendit dhe ligjit, zhvillimit ekonomik dhe respektimin e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë në të drejtat e grave dhe të fëmijëve.
Ambasadorja Kiliç theksoi se ajo do të jetë direkt e angazhuar për zgjerimin e bashkëpunimit të Turqisë me Kosovën, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
