Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi ka treguar arsyet se përse sot do të protestohet. Ai thotë se me protestën e sotme “i biem grusht këtij pushteti!”
Ja dhe statusi i itij i plotë në rrjetin social facebook:
Ndonëse tashmë të gjithë e kanë marrë vesh se të gjithë shqiptarët e Maqedonisë kanë shumë arsye për të protestuar, unë do të deklarohem se pse do të protestoj sot.
Kam shumë arsye të mëdha politike, historike, ekonomike, religjioze dhe sociale që të protestoj dhe secila prej tyre është mjaft e fuqishme dhe e di se secili nga ju nga një arsye të tillë, por unë do të protestoj sot për arsye shumë më modeste:
– do të protestoj sot për shkak të lotëve të Bacës Sylë të Sopotit, të cilin nuk e njoh nga afër, por ai për mua është simboli i vuajtjes dhe diskriminimit të shqiptarit të Maqedonisë;
– do të protestoj sot për shkak të nënës së Sami Lutës, të cilën nuk e njoh nga afër, por që lotët e saj para gjykatës në rastin “Monstra” kanë qenë valë e zjarrtë për shpirtin tim;
– do të protestoj sot për shkak të asaj vajzës së njomë të Kumanovës, që me pamjen e saj të trishtuar më 9 maj vjet është simboli i fëmijërisë së nëpërkëmbur të fëmijëve shqiptarë në Maqedoni;
– do të protestoj sot për shkak të nënës shqiptare, që u poshtërua dhe u sha;
– do të protestoj sot edhe për shkak të mbrojtjes së moralit shqiptar, sepse nuk dua që për nipin tim të bëhen standard amoraliteti;
– do të protestoj sot për shumë arsye të mëdha e të vogla, modeste dhe të rëndësishme, duke synuar ta bëj një thirrje si ajo e Migjenit në poezinë “Recital i malësorit” (disa vargje):
0, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.
0, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.
Më 9 Maj është dita kur ne mund t’i biem mu në zemër kësaj të keqe!
Eja dhe bashkohu sot në Ditën D!
Për Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci!