Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, mbajti sot një fjalim në konferencën e organizuar me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Shoqatës së të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.
Nishani gjatë fjalës së tij u shpreh se historia e atyre që e ndeshën me krimet e komunizmit duhet të vendoset në piedestalin që meriton.
“Jam sot këtu për të sjellë mes jush në shenjë nderimi Institucionin e Presidentit të Shqipërisë. Ju ftoj që të bëjmë atë që se kemi bërë gjatë 25 viteve të fundit, që nuk kemi vendosur fort në përballjen me modelin e diktaturës, modelin e vlerave dhe rezistencës. Në njërën anë, Shqipëria dhe shqiptarët, imazhi i tyre, u ndesh me krimet e komunizmit, por burrat dhe gratë më të mençura të këtij vendi, bënë dhe ata historinë e tyre, histori që duhet të vendoset në piedestalin që meriton. Shqiptarët sot, institucionet, ju që jeni pjesa më aktive në dimensionin e rezistencës, kemi përgjegjësinë që jo vetëm të mos harrojmë, por të angazhohemi në betejën për të hetuar krimet e komunizmit. Përgjegjësia më e madhe qëndron në ridimensionimin e figurës së atyre”,- u shpreh Nishani.
Presidenti i Shqipërisë gjatë fjalës së tij gjithashtu ka shprehur falënderimet për të gjithë ata që mbajtën gjallë, sipas tij, mospajtimin dhe kundërvënien ndaj padrejtësisë.