Lëvizja BESA ka reaguar në lidhje me shkurtimin e buxhetit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, duke thënë se me këtë janë shkurtuar edhe ato pak mundësi e pritje për zhvillimin e kulturës shqiptare.
Siç u kuptua, me rishikimin e buxhetit për vitin 2016 nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës i shkurtohen mjete financiare prej rreth 1 milion euro, që ishin paraparë për përfundimin e projektit që duhej të përfundonte në vitin 2017, ndërsa aktualisht është ndërprerë.
“Për këtë arsye Lëvizja BESA e dënon veprimin e këtillë, që në emër të menaxhimit të buxhetit e dëmton kulturën shqiptare, andaj e pyesim qeverinë VMRO-BDI-në se ku do të përfundojnë ato mjete dhe cila është arsyeja e këtij shkurtimi? Përveç kësaj, kjo qeveri vazhdon edhe me diskriminim kadrovik të shqiptarëve në institucionet kulturore. Kështu derisa në Teatrin e Tetovës numri i të punësuarve është gjithsej 48, në institucionin e njëjtë në Teatrin e Manastirit punojnë 82 sosh. Prandaj nuk mund të mos pyesim përsëri se me çfarë meriton Manastiri dyfishin e punëtorëve të institucioneve kulturore më shumë se Tetova?”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.
Se ky pushtet ka standarde të dyfishta, shtojnë ata, shërben edhe shembulli i një aktori që sot u njoftua se është larguar nga puna në teatrin e Tetovës, që aty të punësohet aktorë maqedonas.
“Andaj Lëvizja BESA i dënon këto veprime diskriminuese të institucioneve dhe kërkon që përfundimisht të ndërpritet kjo praktikë në jinstitucionet kulturore në zonat shqiptare të Maqedonisë, ndërsa me këtë rast rithekson se me BESËN në pushtet detyrimisht do të duhet të ridefinohet mënyra e shpërndarjes së financave për institucionet kulturore shqiptare, ndërsa do të marrë fund edhe diskriminimi i të punësuarve shqiptarë në institucionet kulturore”, qëndron në reagimin e Lëvizjes BESA.